Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Blinken: Armëpushimi në Gaza mund të ishte arritur më herët

Blinken: Armëpushimi në Gaza mund të ishte arritur më herët

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, ka deklaruar se marrëveshja e armëpushimit në Rripin e Gazës mund të ishte arritur më herët, transmeton Anadolu.

“A duhej të kishte ndodhur muaj më parë? Po. A mund të kishte ndodhur muaj më parë? Po”, tha Blinken duke folur për CNN në përgjigje të një pyetje “nëse marrëveshje do të ishte arritur më herët, mund të kishte shpëtuar shumë jetë”.

Blinken tha se Izraeli dhe Hamasi kanë marrë vendime që e komplikuan situatën, por theksoi se “kryesisht ka qenë Hamasi”, të cilën siç tha ai, ka refuzuar të angazhohet muajve të fundit.

Pavarësisht sfidave, Blinken konfirmoi se SHBA-ja arriti të menaxhojë nxitjen e procesit përpara dhe që tani është “në prag” të një marrëveshjeje.

Dje, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, njoftoi se përpjekjet ndërmjetësuese nga Doha, Kajro dhe Washingtoni rezultuan në një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit.

Marrëveshja, e cila pritet të zbatohet në tre faza duke filluar nga e diela, dje u miratua nga Hamasi. Ajo përfshin lirimin e pengjeve izraelite në Rripin e Gazës dhe të burgosurve palestinezë, si dhe zbatimin e një armëpushimi në Gaza.

Sot, Izraeli vonoi një votim të kabinetit, duke pretenduar se Hamasi refuzoi disa pjesë të marrëveshjes.

– “Nëse Netanyahu ndal këtë marrëveshje, ai do të përballet me Trumpin”

Presidenti i Iniciativës Kombëtare Palestineze, Mustafa Barghouti, gjithashtu duke folur për CNN, tha se ai beson se armëpushimi do të ndodhë, por nuk e nënvlerësoi mundësinë e “silurimit të marrëveshjes” nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, siç ka bërë katër herë më parë.

“Por këtë herë ai e di shumë mirë se nëse ai dëshiron të ndal këtë marrëveshje, ai do të përballet me Trumpin”, tha Barghouti.

Ai kritikoi kryeministrin izraelit për vonesën e një marrëveshje të tillë vitin e kaluar, për të cilën Barghouti beson se do të kishte shpëtuar shumë jetë.

“Gjëja e trishtueshme është se ne mund ta kishim pasur këtë marrëveshje më 3 korrik të vitit të kaluar”, tha ai, duke shtuar se nëse do të ishte arritur atëherë, “të paktën 10 mijë jetë palestinezësh” mund të ishin kursyer.

Barghouti e konsideron përgjegjës për vonesën personalisht kryeministrin Netanyahu, duke theksuar se jo vetëm që rezultoi në vdekjen e mijëra palestinezëve, por gjithashtu kontribuoi në humbjen e shumë jetëve izraelite, përfshirë disa të burgosurve izraelitë, e gjitha “si pasojë e bombardimeve izraelite”.

Exit mobile version