BKT thotë se ka zgjidhur problemet teknike që bllokuan bankomatet dhe transaksionet në Shqipëri dhe Kosovë

BKT është banka më e madhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave. Në fund të muajit qershor banka kishte 25.8% të totalit të aktiveve, 24.8% të depozitave dhe 15.5% të portofolit të huave.

Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme, klientët e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), më të madhes në vend, kanë pasur probleme të aksesojnë shërbimet e saj, si për tërheqjen e parave nga automatet, ashtu dhe kryerjen e pagesave online. Probleme kishte edhe me hapjen e degëve gjatë paradites së sotme.

E njëjta situatë u raportua dhe në Kosovë nga korrespondenti i Monitor.

Banka njoftoi rreth mesditës se ka pasur një problem teknik dhe tashmë është zgjidhur. “Problemi hardëare që shkaktoi një ndërprerje afatshkurtër në sistemin tonë bankar është zgjidhur. ATM -të dhe POS-et tona kanë filluar të shërbejnë, kanalet tona digjitale dhe transaksionet e degëve do të vihen gradualisht në shërbim sot rreth orës 11 të mëngjesit pas kontrolleve përfundimtare që do të kryhen. I gjithë ekipi ynë po punon me përkushtimin e zakonshëm për t’ju shërbyer sa më mirë”.

I njëjti njoftim u dha dhe për klientët e degës në Kosovë.

BSH: Po e mbikëqyrim situatën

Banka e Shqipërisë tha se është informuar menjëherë nga BKT mbi situatën (një problem i natyrës teknike) dhe ekipi i mbikëqyrjes së saj ka marrë dhe mbajtur kontakt të vazhdueshëm me bankën përgjatë gjithë kohës. “Nga informacioni më i fundit që kemi nga BKT, cdo gjë është sistemuar, të gjitha ATM dhe POS janë plotësisht funksionale ndërkohë që pritet që të gjitha degët do te hapin dyert brenda ditës së sotme. Kjo është njoftuar dhe nga vetë Banka në të gjitha kanalet e komunikimit. Ndërkohë, BSH do te vijoje te mbetet ne mbikëqyrje te pandërprerë te situatës, deri ne zgjidhjen përfundimtare të saj”, thanë burime nga Banka e Shqipërisë, që mbikëqyr aktivitetin e bankave të nivelit të dytë.

BKT është banka më e madhe në vend. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave. Në fund të muajit qershor banka kishte 25.8% të totalit të aktiveve, 24.8% të depozitave dhe 15.5% të portofolit të huave.

/Monitor