Ballina Ekonomi Bizneset drejt falimentimit, ekonomia drejt kolapsit – zhurma e tyre s’ia prish...

Bizneset drejt falimentimit, ekonomia drejt kolapsit – zhurma e tyre s’ia prish gjumin shtetit

Bizneset në Kosovë po vazhdojnë të punojnë me humbje, të gjithë indikatorët ekonomikë kanë trende negative e në anën tjetër institucionet përkatëse të Kosovës janë ende në gjumë.

Gjatë ditës së djeshme, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media ku kanë bërë të ditur se nga fillimi i pandemisë e deri më tani humbjet e bizneseve në vend kanë prekur shifrat një miliard euro, shkruan lajmi.net.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi tha se muaji tetor dhe shtator janë vendimtarë që të intervenohet në ekonomi sepse nëse nuk ndodh kjo, kolapsi ekonomik është i pashmangshëm dhe sipas tij do të ketë mbyllje të vendeve të punës e falimentim të bizneseve.

I NGJAJSHËM

VUÇIQ NESËR NË UJMAN? SHTETI TREGON A PATI KËRKESË PËR VIZITË

Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka ka thënë se mos kalimi i ligjit në Kuvend për rimëkëmbje është për keqardhje.

“Ky ligj është mjaft me rëndësi për vendin, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të shkaktuar nga Covid-19”, tha ai.

Në anën tjetër, gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës ka dështuar të votohet Ligjit i Rimëkëmbjes Ekonomike. Në anën tjetër, bizneset janë në telashe për shkak të mungesës së këtij ligji.

Nga sektori më i prekur nga pandemia e që është gastronomia thonë se ata janë dëmtuar edhe nga masat kufizuese pasi po punojnë me gjysmën e kapaciteteve e gjithashtu edhe nga kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Gazmend Krasniqi, menaxher i një prej lokaleve të gastronomisë në rrugën “Rexhep Luci” për lajmi.net ka thënë që nga fillimi i pandemisë kanë punuar me humbje dhe se nëse ky trend zgjat edhe për më së shumti 2 muaj, biznesi i tyre do të mbyllet.

“Që nga fillimi i pandemisë, njëherë nuk punuam hiç, tani kemi punuar me gjysmën e tavolinave, pastaj kufizimi i lëvizjes dhe masat e tjera, numri i njerëzve në tavolina, të gjitha kanë ndikuar që ne të punojmë me humbje, vetëm që të mos ndalemi, por kështu nuk mund ta shtyjmë gjatë, edhe 1-2 muaj, nëse vazhdon kështu, ne falimentojmë.”, tha ai për lajmi.net.

Gjithashtu, Pajtim Gashi, punëtor në një kafiteri pranë sheshit të Prishtinës shprehet se masat kanë ndikuar më së shumti që bizneset e sidomos gastronomia të mos kthjellet që nga izolimi i plotë në fillim të pandemisë.

“Nëse shteti nuk na ndihmon, do të falimentojmë. Pas mbylljes totale, tash ne punojmë vetëm jashtë, moti po përkeqësohet, njerëzit nuk rrinë jashtë, numri i kufizuar i tavolinave, distanca mes tyre, të gjitha këto, pastaj lokalet duhet t’i mbyllim në ora 10:00 e kështu me radhë. Jemi afër falimentimit, shteti duhet të na ndihmojë disi dhe të lirohen pak masat”, tha Gashi për lajmi.net.

E se kolapsi ekonomik është i pashmangshëm nëse shteti vazhdon ta neglizhojë këtë problem, pajtohet edhe eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu.

Ai shprehet se të situata ekonomike në Kosovë është emergjente dhe indikatorët ekonomikë të gjithë janë në rënie, e sipas tij deputetët që nuk po e votojnë ligjin e rimëkëmbjes po bëjnë krim.

“Është e vërtetë që Kosova është dëmtuar në këtë kohë pandemie nga sjellja jo-njerëzore, jo-humane dhe jo-patriotike e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kosova është në situatë emergjente edhe pse nuk ka gjendje të jashtëzakonshme, dhe në këtë situatë kur të gjithë indikatorët ekonomikë janë në rënie të mos votohet dhe të mos mendohet për rimëkëmbje ekonomike nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është me të vërtetë krim”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se rënia ekonomike do të ndjehet më së shumti në afërsi të fundit dhe sipas tij kjo rënie ekonomike ka efekte edhe në punësim, edhe në stabilitet social por edhe në përmirësimin e bilancit të pagesave.

“Kjo i përngjan një rënie nga lartësia dhe kjo rënie më së shumti do të ndjehet në afërsi të fundit. Duhet të kuptohet se nuk kemi të bëjmë vetëm me efekte financiare, por efektet që gjenerojnë këto 1 miliardë euro janë edhe në punësim, edhe në stabilitet social, qoftë në përmirësim të bilancit të pagesave dhe shohim se të gjithë indikatorët ekonomikë kanë trende negative.”, tha Gërxhaliu.

Ai në fund thotë se 10 përqindëshi i trustit nuk është zgjedhje e mirë, pasi sipas tij është e nevojshme që shteti të marrë hapa konkretë për ndihmë ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka të qartë se kur do të fillojë implementimi i rimëkëmbjes ekonomike, në këtë moment kur shtetet e tjera kanë avancuar shumë hapa përpara në këtë drejtim.

Ekspertët e ekonomisë kanë deklaruar se rënia ekonomike e shkaktuar nga pandemia do të kërkojë vite që të mposhtet, por sipas tyre kjo mund të përshpejtohet nëse institucionet tregohen efikase në mënyrat e tyre.

Exit mobile version