Monedhë virtuale është ajo lloj paraje digjitale e cila është e parregulluar, që është e lëshuar dhe kontrolluar nga zhvilluesit e saj dhe që pranohet dhe përdoret vetëm nga anëtaret e këtij komuniteti të veçante virtual. Një nga këto skema të monedhës virtuale është Bitcoin.
Bitcoin është një rrjet qe mundëson një sistem të ri të pagesave dhe është para tërësisht digjitale. Ai është rrjeti i parë i decentralizuar i rrjetit të pagesave ‘peer-to-peer’ që është e kontrolluar nga përdoruesit e saj dhe jo nga ndonjë autoritet qendror apo ndërmjetësues.
Kush e krijoi Bitcoin?
Bitcoin është ndoshta skema më e suksesshme dhe gjithashtu më e diskutueshme për para virtuale deri më sot. Është projektuar dhe zbatuar nga një programues japonez, Satoshi Nakamoto, në 2009. Kjo skemë është e bazuar në një rrjet të ngjashëm me BitTorrent, protokollit të famshëm për shpërndarjen e fotografive, filmave, lojërave dhe muzikës, në lidhje me internet ‘peer-to-peer’. Bitcoin operon në nivel global dhe mund të përdoret si një monedhë për të gjitha llojet e transaksioneve (për mallra dhe shërbime si ato virtuale dhe reale), duke konkurruar me valuta zyrtare si euro apo dollari amerikan. Skema përmban një bazë të dhënash që liston ofruesit e produkteve dhe shërbimeve të cilat aktualisht pranojnë Bitcoins.
Mënyra e funksionimit të Bitcoin
Bitcoins nuk janë të lidhura me ndonjë valute reale. Kursi i këmbimit përcaktohet nga oferta dhe kërkesa në treg. Ka disa platforma të këmbimit për blerjen e Bitcoins që veprojnë në kohë reale.
Mënyra për të filluar përdorimin e Bitcoins është që përdoruesit duhet të shkarkojnë një softuer i cili është i hapur për përdoruesit për t’u shkarkuar. Bitcoins e blera ruhen në një portofol digjital në kompjuterin e përdoruesit. Rrjedhimisht, përdoruesit përballen me humbjen e parave të tyre në qoftë se ata nuk i zbatojnë antiviruset e përshtatshme apo masat tjera mbrojtëse.
Transaksionet me Bitcoin janë anonime, pra llogaritë nuk janë të regjistruara dhe Bitcoins dërgohen direkt prej një kompjuteri në tjetrin. Transaksionet me Bitcoin kryhen më shpejt dhe më lirë se sa me mjetet tjera tradicionale të pagesave. Tarifat e transaksioneve, nëse ka ndonjë rast që ka tarifë, janë shumë të ulta.
Përshkrimi teknik përnjë transaksion me Bitcoin
Aspektet teknike të këtij sistemi janë komplekse dhe jo lehtë të kuptueshme për ata që nuk kanë shumë njohuri të sistemeve teknike. Sipas themeluesit, Nakamoto, një para e tillë elektronike mund të definohet si një zingjir i nënshkrimeve digjitale. Secili pronar i kësaj valute ka dy çelësa, një çelës privat dhe një publik. Këta çelësa janë të ruajtur në një dosje dhe rrjedhimisht, nëse dosja humb apo fshihet atëherë kjo do të thotë se të gjitha Bitcoins të lidhura me këtë file do të humbin gjithashtu.
Sistemet që bëjnë verifikimin e transaksioneve Bitcoin janë të quajtura ‘miners’ – në thelb këta janë kompjuter jashtëzakonisht të shpejt të rrjetit Bitcoin të cilët janë në gjendje të llogarisin të gjitha kalkulimet matematikore në mënyrë që të vërtetojnë se këto transaksione janë të vlefshme. Personat të cilët përdorin sistemet e tyre për zhvillimin e veprimtarisë së ‘minimit’, veprojnë në baza vullnetare, por që më pas shpërblehen me 50 Bitcoins të reja në çdo kohë që sistemi i tyre gjënë një zgjidhje.
‘Mining’ pra është procesi i verifikimit të transaksioneve duke përdorur fuqinë kompjuterike për të gjetur kriteret e vlefshme, për shembull duke zgjidhur problemet e komplikuara matematikore dhe kjo është mënyra e vetme për të krijuar para të reja në skemën e Bitcoin.
Aspekti monetar
Skema e Bitcoin është dizajnuar si një sistem i decentralizuar ku nuk është i përfshirë ndonjë autoritet qendror monetar. Bitcoins mund të blihen në platforma të ndryshme. Sidoqoftë, kjo para e re është krijuar dhe prezantuar në sistem vetëm nëpërmes veprimtarisë së ‘minimit’, gjegjësisht duke shpërblyer me Bitcoins të ri të gjithë ‘miners’ të cilët luajnë një rol kryesor në verifikimin e të gjitha transaksioneve të kryera.
Prandaj, furnizimi me para Bitcoins nuk varet nga politika monetare e ndonjë banke qendrore virtuale, por kjo zhvillohet bazuar në përdoruesit e interesuar për të vepruar me ketë aktivitet.
Sipas Bitcoin, skema ka qenë teknikisht e projektuar në atë mënyrë që oferta e parasë të zhvillohet me një ritëm të paparashikueshëm.
Në mënyrë që të pranohen Bitcoins të reja për përdorues, zgjedhja e algoritmeve po behet gjithnjë e më shumë e komplikuar, pra po nevojiten sa më shumë burime kompjuterike.
Sa përdoret Bitcoin?
Bitcoin është e pranuar nga tregtarë të shumtë nga vende të ndryshme të botës. Rastet e fundit të kompanive që kanë lejuar përdorimin e monedhës virtuale Bitcoin janë: në shtator 2014, kompania PayPal ju ka mundësuar tregtareve në Amerikën Veriore që të pranojnë pagesa nga klientët e tyre përmes Bitcoin. Gjithashtu në ketë muaj edhe Microsoft ka pranuar Bitcoin si formë e pagesës nga klientët në Amerikë të cilët dëshirojnë të blejnë produkte të Xbox ose të Windows. Time INC ka njoftuar klientët e saj që nga muaj dhjetor 2014, mund të blejnë revistat me Bitcoin.
Sipas Bankës Qendrore Evropiane, rregullimi i sektorit financiar nuk është i zbatueshëm, sepse Bitcoin nuk përfshin akteret tradicional financiar. Me 2014, Bitcoin është jo legal vetëm në dy vende: Vietnam, ku tregtimi me Bitcoins ose valuta tjera elektronike është i ndaluar me ligj dhe në Islandë, ku Banka Qendrore e vendit ka ndaluar përdorimin e Bitcoins për të kufizuar rrjedhjen e parasë jashtë vendit. /gazetaekonomia/