Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, të hënën ka pritur në takim kryesuesen e Divizionit për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Zuzana Michalcová Šutiaková.
Sipas njoftimit, Bislimi, ka theksuar nevojën për heqjen e masave të cilat sipas tij vijojnë të jenë të padrejta dhe të qëndrojnë në fuqi edhe pas rekomandimit të heqjes së tyre nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Zëvendëskryeministri theksoi edhe nevojën për heqjen e masave të cilat vijojnë të jenë të padrejta e të qëndrojnë në fuqi edhe pas konstatimit të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në raportin e tij ku rekomandon heqjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se, gjatë takimit është biseduar edhe për rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian si dhe për zhvillimet në vend e rajon.
“Me zyrtaren nga Bashkimi Evropian zëvendëskryeministri Bislimi bisedoi rreth aktualitetit dhe zhvillimeve në vend dhe rajon, si dhe për rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian. Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri trajtoi dhe progresin që ka njohur vendi edhe në rrafshin ekonomik, ku tashmë i kemi rreth 75.000 vende më shumë të punës, të fokusuar tek punësimi i grave dhe të rinjve, e ku niveli i papunësisë është ulur nga 23.8% sa ishte para ardhjes sonë në qeverisje, në tash vetëm 10.8%”, theksohet në njoftim. /teve1