Shije krejtësisht e veçantë me shumë pak përbërës.
Receta e sotme nuk ka nevojë as për miell e as për gjalpë.
Gjithçka që do t’ju duhet është sheqeri, të bardha veze dhe kakao dhe do të krijoni disa ëmbëlsira me shije dhe aromë delikate.
Ndiqni me kujdes hapat e përgatitjes të shpjeguara në recetë dhe provojini që sot këto biskota speciale pa miell.
Përbërësit
- 250g sheqer pluhur
- 50g kakao e hidhur
- Pak kripë
- 2 të bardha vezësh
- 100g çokollatë të grirë
Përgatitja
Për të nisur këtë recetë duhet të filloni me sitjen e sheqerit pluhur dhe kakaos.
Sitja e këtyre dy përbërësve krijon mundësinë që brumi i biskotave të ketë ajër gjithashtu dhe që sheqeri me kakaon të shkrihen plotësisht.
Kalojini përbërësit në një tas të madh, ndërkohë që grini çokollatës.
Përdorni çokollatën e zezë e cila përdoret për gatim, pasi çokollatat e tjera kanë sheqer të shtuar.
Kur të keni përfunduar edhe me çokollatën është koha që të rrihni të bardhat e vezëve.
Në një tas të pastër dhe të thatë hidhni vezët dhe shtoni pak kripë.
Punojini vezët me rrahësin elektrik derisa të formoni merengen e plotë.
Shtoni dalë nga dalë përzierjen me sheqer dhe kakao.
Nëse do të përdornit sheqer kokërr punimi i të bardhave të vezëve do të ishte më i gjatë, pasi sheqeri duhet të tretet plotësisht.
Kur sheqeri mbetet i patretur kur të piqni biskotat ai do të digjet duke hidhëruar shijen e ëmbëlsirave.
Pasi të keni përzierë sheqerin dhe kakaon tek merengia shtoni aty copat e çokollatës së grirë.
Merrni një tavë dhe lyejeni shumë lehtë me pak vaj dhe mbi të shtroni një letër pjekjeje.
Me ndihmën e lugëve hidhni pak nga masa që përgatitët duke u munduar që t’i jepni pakëz formë.
Futini në furrë të ngrohur me 200 gradë dhe piqini për 12-14 minuta.
Mund t’i provoni nëse janë bërë duke i shpuar edhe me njq kunjë dhëmbësh.
Pasi t’i hiqni nga furra lërini pak të ftohen dhe mund t’i shërbeni plot shije.