U ktheva rreth e rrotull, por nuk gjeta hijen time!! Ngrita shikimin drejt qiellit dhe pashë diellin në kulmin e tij, pa asnjë gjurmë reje apo mjegulle. Përsëri shikova përreth, por hija ime nuk ishte askund.
Thashë me vete: SubhanAllah! Ku mund të ketë shkuar? Ajo gjithmonë ecte pranë meje…
U ktheva pas, duke kërkuar hijen time, derisa e gjeta pranë një shkëmbi.
I thashë: Ku ishe, o hije? Pse nuk më ndoqe më?
Ajo m’u përgjigj: Jam lodhur duke ecur pas teje.
E pyeta: Pse? Çfarë të lodhi?
Hija tha: Sepse më detyron të të ndjek në vende ku nuk dua të shkoj, dhe sepse ti bën vepra që nga jashtë duken të sinqerta, por brenda fshehin hipokrizi. Ah, sikur të mos kisha qenë kurrë hija jote!
Thashë: Ti dëshiron të ndahesh nga unë, ndërsa njerëzit dëshirojnë të më takojnë.
Hija tha: Njerëzit e njohin pamjen tënde të jashtme, ndërsa unë e njoh thelbin tënd.
I thashë: Çfarë nënkupton me këtë?
Ajo tha: Ti e di shumë mirë çfarë dua të them, sepse “thelbi i vërtetë i moralit zbulohet përmes bashkëjetesës.” Njerëzit nuk të njohin aq sa të njoh unë. Sikur të shikoje në zemrën tënde, do të shihje errësirën e saj.
I thashë: Çfarë e ka nxirë zemrën time?
Ajo tha: Mungesa e sinqeritetit në vepra dhe hipokrizia në sjellje.
I thashë: A ndikon vërtetë kjo në zemër deri në këtë shkallë?
Ajo tha: Po, sepse sinqeriteti është themeli i çdo vepre. Madje, në një proverb thuhet: “Thuaji atij që nuk është i sinqertë: mos u lodh kot.” Dhe Zoti i Lartësuar ka urdhëruar për këtë kur ka thënë: “Ata nuk u urdhëruan për tjetër, veçse të adhurojnë Allahun me sinqeritet të plotë në besim.”
I thashë: A mund të më japësh një shembull për këtë?
Ajo tha: Pa problem, por dëgjoje me vëmendje atë që do të të them: “Kur rrënjët e një peme dalin mbi tokë dhe nuk janë të thella, ajo nuk mund të thithë ujë, gjethet i thahen, nuk jep fryte dhe humb vlerën e saj. Ndërsa kur rrënjët e saj depërtojnë thellë në tokë, ajo ushqehet mirë, gjethet i gjelbërohen, frutat i bëhen të ëmbla dhe vlera e saj shtohet.”
I thashë: Por kjo gjë është e vështirë për mua!
Ajo tha: “E vërtetë! Sepse nijeti është një nga dyert më të mëdha nga ku hyn djalli për ta prishur veprën e njeriut. Prandaj, Sufjan Eth-Theuri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ‘Nuk kam luftuar me asgjë më të vështirë sesa me nijetin tim.’”
I thashë: “Por njerëzit nuk e dinë që unë bëj veprime për sy e faqe.”
Ajo tha: “A je ti nga ata që veprojnë për njerëzit apo për Zotin e njerëzve? Allahu e di gjithçka dhe asgjë nuk i mbetet e fshehtë. Sepse Ditën e Gjykimit gjithçka do të zbulohet.”
I thashë: “Më ke bërë të ndryshoj mendim për veten time, o hije! Por cilat janë shenjat e hipokritit që vepron për sy e faqe?”
Tha: “Ali ibn Ebi Talib (r.a) ka thënë: ‘Hipokriti ka tre shenja: plogështohet kur është vetëm, bëhet i zellshëm kur është me njerëzit, dhe e shton punën kur e lavdërojnë, por e pakëson kur e qortojnë.’ Ndaj, lëvize nijetin tënd përpara se të të djegë hija jote.”
I thashë, i habitur: “A mund të të djegë hija?”
Hija tha: “Po, o shoku im! Sepse ekzistojnë dy lloje hijesh: një e qortuar dhe një e lavdëruar. Hija e qortuar përmendet në fjalën e Allahut: “Shkoni në hijen me tre degë, që nuk është freskuese dhe nuk ju mbron nga flaka.” [1]– që i referohet hijes së tymit të Xhehenemit, e cila nuk ofron aspak mbrojtje nga ai zjarr i tmerrshëm. Hija e lavdëruar është hija e xhenetit, për të cilën Allahu thotë: “Në mes të pemëve të lotusit pa gjemba, pemëve me fruta të grumbulluara, në hije të vazhdueshme dhe pranë ujërave që rrjedhin.”[2] Në Xhenet, gjithçka është nën hije dhe nuk ka diell të djegshëm.”
“Prandaj, zgjidh se cilën hije dëshiron, o shoku im! Dhe mbaje mend këtë fjalë: ‘Kush nuk është i sinqertë, le të mos lodhet kot!’ Sepse një grusht dhe nga sinqeriteti vlen më shumë se një fushë e tërë me shafran të hipokrizisë.”
Ky ishte një dialog imagjinar që përfytyrova me hijen time në muajin e bekuar të Ramazanit. Allahu e pranoftë adhurimin tuaj!
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Murselat: 30 – 31.
[2] – Sure Uakia: 28 – 31
