Për herë të parë në historinë e mjekësisë botërore, është shpëtuar jeta e një personi të djegur në 95 për qind të trupit, dhe kjo falë lëkurës së marrë nga vëllai i tij binjak, bëri të ditur spitali Saint-Louis në Paris, ku është kryer operacioni në fjalë.
Kjo është hera e parë që është transplantuar lëkura e vëllezërve binjak në një sipërfaqe kaq të madhe të trupit, thuhet në njoftimin e spitalit.
Pacienti Franck, i cili tashmë është kthyer në shtëpi ku po rikuperohet, pësoi një aksident në punë në shtator të vitit 2016, ndërkohë që mjekët fillimisht kishin thënë se gjasat për të mbijetuar ishin pothuajse të pashpresa, nga shkaku i shkallës së djegieve në trup.
Gjatë trajtimit katër mujor, Frank iu nënshtrua 12 operacioneve, gjatë të cilave në tre operacione atij i është transplantuar lëkura e vëllait të tij binjak Erik, të marrë nga kafka, shpina, dhe kofshët.
Operacioni i parë i transplantit ishte shtatë ditë pas lëndimit, hera e dytë 11 ditë më pas, dhe intervenimi i tretë ishte 44 ditë pas djegies. “Gjithmonë kemi qenë të afërt, por tani jemi akoma më shumë”, tha Frank për transmetuesin televiziv BFMTV.
Mjekët thonë se trupi i Frankut nuk kishte refuzuar lëkurën, meqë dhuruesi është gjenetikisht identik.