Në Prishtinë sot një numër i vogël i qytetarëve kanë protestuar kundër ndërtimit të xhamisë së madhe në Prishtinë. Ndonëse disa protestues thoshin se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por kundër modelit që është përzgjedhur, disa protestues të tjerë ishin kundër ndërtimit në atë vend.
Në të njëjtën kohë është zhvilluar edhe një protestë nga disa qytetarë, të cilët protestonin kundër qytetarëve që e kundërshtonin ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytet.
Fatime Ahmeti, banore në lagjen “Dardania”, tha se është kundër ndërtimit të xhamisë, derisa potencoi se si lagje kanë nevojë për çerdhe dhe për jetë kulturore.
Ajo tha se do të ankohet edhe në Komunën e Prishtinës rreth ndërtimit të kësaj xhamie.
Një qytetar tjetër, tha se banorët e lagjes së “Ulpianës” dhe të “Dardanisë” do të kenë probleme për shkak të zhurmës nga xhamia.
Por, kundër këtyre qytetarëve që protestonin kishin dal disa qytetarë të tjerë, të cilët e quanin të pakuptimtë kundërshtimin që besimtarët myslimanë të kenë një objekt të tyre.
Qytetari Blerim Ejupi, tha se në Kosovë janë mbi 95 përqind e popullatës myslimane dhe është e drejtë elementare që besimtarët të kenë xhaminë e tyre.
Kurse, qytetari Sadat Islami, tha se është e papranueshme që të kundërshtohet ndërtimi i xhamisë për komunitetin mysliman.
Ai tha se nëse ndërpritet ndërtimi i xhamisë ai personalisht do të jetë në gjendje të flijohet, siç tha për Zotin dhe shtëpinë e tij.
Edhe qytetari Kenan Nuhiu, tha se për ndërtimin e xhamisë kanë të drejtë të japin mendimin e vet vetëm besimtarët.
Por ajo që ra në sy në këtë protestë është se nuk kishte prezent as vet organizatori, Binak Gashi, i cili e ftoi këtë protestë.