Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Billström: Trupat e NATO-s do të operojnë në Suedi, por nuk duam...

Billström: Trupat e NATO-s do të operojnë në Suedi, por nuk duam baza të përhershme të NATO-s

Tobias Billström

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billström deklaroi se janë kundër krijimit të bazave të përhershme të NATO-s dhe vendosjes së armëve bërthamore në territorin e tyre.

Billström në një prononcim për Anadolu foli pas ceremonisë së ngritjes së flamurit suedez në selinë e NATO-s në Bruksel me rastin e anëtarësimit të Suedisë në aleancë si anëtarja e 32-të. Duke rikujtuar se vendi i tij edhe më parë ka marrë pjesë në operacionet e përbashkëta me NATO-n, Billström tha se “Sigurisht, trupat e NATO-s do të operojnë në Suedi por nuk duam baza të përhershme të NATO-s”.

Ai thekson se në të njëjtën mënyrë vendi i tij është i gatshëm në parim të dërgojë trupa te aleatët e tjerë dhe se janë përgatitur që të dërgojnë një batalion të mekanizuar në Letoni. Pasi foli për diskutimin mbi nevojën e vendosjes së armëve bërthamore që janë në rend dite në javët e fundit në Evropë, Billström tha:

“Nuk shohim ndonjë arsye për të patur armë bërthamore në territorin tonë në kohë paqeje. Për këtë çështje do të ndjekim rrugën e Norvegjisë dhe Danimarkës. Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se vetëm tre vende të NATO-s kanë armë bërthamore SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe se që nga fundi i Luftës i Ftohtë e deri më tani nuk janë vendosur armë bërthamore në territorin e asnjë shteti anëtar”.

“Sigurisht që asnjë shtet anëtar nuk është i detyruar të posedojë armë bërthamore kundër vullnetit të tij. Prandaj mendoj se kjo çështje është ekzagjeruar pak”, tha ministri suedez.

Ai potencoi se janë të vetëdijshëm se armët bërthamore përbëjnë pjesë të doktrinës së mbrojtjes dhe parandalimit të NATO-s. “Ne kemi hyrë në NATO pa asnjë parakusht për këtë çështje”, tha Billström.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një deklaratë dje tha: “Nuk ka plan për të rritur numrin e aleatëve që kanë armë bërthamore. Sigurisht që vlerësojmë vazhdimisht qëndrimin tonë përballë forcave konvencionale aktuale. Por ashtu si në shtetet baltike edhe në Suedi ne nuk kemi plane për të krijuar një grup luftarak”.

– Thirrjet për përjashtimin e Izraelit nga Eurovizioni që do të mbahet në Suedi

Lidhur me thirrjet për përjashtimin e Izraelit nga Festivali i Këngës Eurovizion që do të mbahet në vendin e tij këtë vit, Billström tha: “Kjo është pyetje që nuk i intereson qeverisë suedeze. Kjo u intereson organizatorëve të Eurovizionit dhe sigurisht Unionit Evropian të Transmetuesve i cili do të vendosë se kush do të marrë dhe kush nuk do të marrë pjesë. Për këtë arsye unë do të qëndroj jashtë kësaj”.

Exit mobile version