Bilanci i tërmetit në Izmir, të paktën 12 jetë të humbura dhe 419 të plagosur

Të paktën 12 persona humbën jetën dhe 419 të tjerë u plagosën si pasojë e tërmetit 6,6 ballë që ka goditur ujërat e Seferihisar të qytetit Izmir të Turqisë, njoftoi Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), transmeton Anadolu Agency (AA).

AFAD njoftoi se tërmeti ndodhi në ora 14:51 sipas kohës lokale në një thellësi prej 16,54 kilometrash.

Nga agjencia gjithashtu njoftuan se pas tërmetit u regjistruan të paktën 84 tronditje më të vogla pasuese, 16 prej të cilave ishtin mbi 4,0 ballë.

Aktivitetet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë rreth 17 ndërtesave të shkatërruara dhe të dëmtuara në qytetin që ka rreth 4,37 milionë banorë dhe që është qyteti i tretë më i madh i Turqisë për nga popullsia.

Nga AFAD thonë se mbi 50 automjete dhe rreth 200 punonjës u dërguan në vendin e ngjarjes.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithashtu dërgoi 48 punonjës, 16 automjete dhe një kuzhinë të lëvizshme e cila ka kapacitetin për të shërbyer mbi 25 mijë persona.

AFAD gjithashtu bëri të ditur se 960 çadra, 4.500 batanije dhe 3.672 shtretër u dërguan në rajon.

Gjithashtu u bë e ditur se ndihma emergjente prej 5 milionë lirash turke (rreth 600.000 dollarë) u dërguan në rajon nga Ministria e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale.

Guvernatori i Izmirit, Yavuz Selim Köşger, njoftoi se deri më tani 70 persona janë shpëtuar nga rrënojat e tërmetit.

Më vonë, AFAD njoftoi se një tërmet tjetër 5,1 ballë goditi Detin Egje, 20 kilometra larg rrethit Kuşadası të provincës turke Aydin.

Ministria e Mbrojtjes formon tryezë krize

Ministria turke e Mbrojtjes ka krijuar një tryezë krize pas tërmetit dhe dy helikopterë ushtarakë po marrin pjesë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, tha se tërmeti u ndje edhe në Stamboll, por nuk u raportuan “negativitete”.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, njoftoi se disa ndërtesa në provincëne Izmirit janë raportuar se janë rrënuar nga tërmeti.

“Përveç çarjeve të vogla në ndërtesa në qytetet Uşak, Denizli, Manisa, Balıkesir, Aydın dhe Muğla, nuk është raportuar për viktima”, njoftoi Soylu nga rrjeti social Twitter.

Ministri turk i Mjedisit, Murat Kurum, tha se disa persona janë bllokuar nën rrënojat e pesë ndërtesave të shembura në Izmir. Ai njoftoi se është nisur për në rajonin e prekur nga tërmeti, së bashku me ministrin turk të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan publikoi një mesazh solidarizimi për qytetarët, duke u uruar të shkuara të gjithë qytetarëve që u prekën nga tërmeti.

“Ne qëndrojmë pranë qytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti me të gjitha mjetet e shtetit tonë. U mobilizuam me të gjitha institucionet tona përkatëse dhe ministrat tanë për të filluar punën e nevojshme në rajon”, tha Erdoğan.

Po ashtu edhe në palën greke është dëgjuar tërmeti që tronditi qytetin e Izmirit. Observatori Kombëtar i Institutit të Athinës fillimisht tha se magnituda e tërmetit ishte 6,6 ballë, por më vonë e korrigjoi në 6,7 ballë. Observatori tha se tërmeti tronditi ishullin veriperëndimor grek Samos në Detin Egje.