Bilanci i pandemisë në botë, mbi 16 milionë raste me COVID-19

Pandemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar të paktën 644,995 të vdekur në botë, që prej shfaqjes në Kinë në muajin dhjetor, sipas të dhënave zyrtare.

Më shumë se 16 milionë raste me COVID-19 janë diagnostikuar zyrtarisht në 196 vende dhe territore që prej fillimit të epidemisë, prej të cilëve 9,819,532 janë konsideruar sot si të shëruar. Ky numër i rasteve të diagnostikuara nuk reflekton numrin real të kontaminimeve pasi shumë vende testojnë vetëm rastet që kanë nevojë për shërbim spitalor. Dy rritjet më të mëdha ditore të rasteve me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë janë regjistruar të enjten dhe të premten me më shumë se 280 000 të infektuar të regjistruar përkatësisht në këto dy ditë.

Më shumë se pesë milionë raste janë regjistruar zyrtarisht që prej 1 korrikut, rreth më shumë se një e treta e rasteve të regjistruara me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë. Vetëm ditën e premte, 6 241 të vdekur dhe 282 042 raste të reja janë regjistruar në botë. Vendi që ka regjistruar më shumë të vdekur gjatë 24 orëve të fundit janë SHBA-ja me 1 157 të vdekur, Brazili me 1 156 të vdekur dhe India me 757 të vdekur.

SHBA-ja, që ka regjistruar të vdekurin e parë nga koronavirusi në fillim të shkurtit, është vendi më i prekur në botë për nga numri i të vdekurve dhe rasteve me 148,967 vdekje për 4,278,034 raste. Të paktën 2,036,752 persona janë konsideruar të shëruar nga autoritetet amerikane. Pas SHBA-së, vendet më të prekura janë Brazili me 85,385 të vdekur për 2,348,200 raste, Britania e Madhe me 45,738 të vdekur për 298,681 raste, Meksika me 42,645 të vdekur për 378,285 raste dhe Italia me 35,102 të vdekur për 245,864 raste. Kina numëron në total 83,784 raste, prej të cilëve 4 634 të vdekur dhe 78 889 të shëruar./tch