BIK-u uron Kurban Bajramin: Të jemi më humanë e solidarë, më mëshirues e më tolerantë

Reshat ef. Mexhiti, zëvendëskryetar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, nëpërmjet një letre ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.

Në urimin e Bashkësisë Islame të nënshkruar nga Mexhiti, thuhet se Festa e Kurban – Bajramit na sjellë mënyrën më të mirë për mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë njerëzimin të reflektoj në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë.

“Në këtë ditë feste e gëzimi thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më humanë e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojmë njëri – tjetrin, skamnorët, jetimët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të shëndoshë, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë”, thuhet në letrën e Reshat ef. Mexhiti.

Ja urimi i plotë:

Me emër të Allahut, mëshiruesit, bamirësit

Falënderimi qoftë për Allahun krijuesin e gjithësisë. Salavatet dhe përshëndetjet i dërgojmë për të dashurin tonë Muhamedin a.s. paqja dhe mëshira Zotit qofshin mbi të, familjen dhe pasuesit e tij.

Të nderuar besimtarë!

Vëllezër dhe motra!

Të nderuar qytetar të Kosovës!

Nesër, më 12 shtator 2016 i përputhshëm me 10 Dhul hixhe 1437 Hixhrij është dita madhështore e festës së Kurban – Bajramit, të cilën besimtari e stolisë me përkushtim, sakrificë e flijim vetëm për hir të Allahut xh.sh..

Me këtë rast, më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, organeve dhe institucioneve të saja, në emër të Myftiut Tërnava dhe në emrin tim t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi duke lutur të madhin Zot për mbarësi e begati.

Festa e Kurban – Bajramit na sjellë mënyrën më të mirë për mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë njerëzimin të reflektoj në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë.

Besimtarë të nderuar!

Kurban-Bajrami vjen pasi besimtarët kryejnë Haxhin dhe therin Kurbanin. Në Haxh besimtarët shprehin në mënyrën më të mirë barazinë e unitetin që kryhet në një atmosferë krejt të veçantë, me norma të veçanta, në kohë të caktuar dhe në vende të caktuara, ku dominon respekti e dashuria, ndërmjet të gjithëve, ku shfaqet përkushtimi ndaj Allahut xh. sh., dhe ku shprehët solidariteti mes njerëzve të vendeve e etnive të ndryshme. Sot, miliona haxhilerë ditën e kalojnë në Arafat duke lutur Zotin dhe duke shprehur përkushtimin ndaj Tij, e në këtë vend të bekuar janë edhe haxhilerët nga trevat tona, për të cilët lutemi që Zoti t’ua pranoj Haxhin dhe ibadetet e tyre.

Festa e Kurban-Bajramit, përveç që reflekton adhurimin e Krijuesit Fuqiplotë, në vete ka edhe simbolikën e flijimit që të ne vjen nga koha e Ibrahimit a.s., e që për mision ka vlerat e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë, e mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë, sepse edhe flijimi i kurbanit që e bëjmë me këtë rast, nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë.

Allahu i Gjithëmëshirshëm na udhëzon: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun…”.

Në këtë ditë feste e gëzimi thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më human e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojmë njëri – tjetrin, skamnorët, jetimët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të shëndosh, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë.

Besimtarë të nderuar!

Duke falënderuar Zotin për të mirat që na ka dhënë në vendin tonë, ju ftoj që sa më shumë ta kujtojmë Krijuesin dhe të jemi sa më solidarë ndaj njëri – tjetrit. Në prag të festës së Kurban-Bajramit më lejoni që edhe një herë t’ju urojë të gjithëve shëndet, lumturi, begati, mbarësi, harmoni, dashuri dhe paqe për mbarë njerëzimin!