BIK-u siguron trajtim mjekësor në Turqi për 25 vjeçarin që u lëndua rëndë nga shpërthimi i mjeteve piroteknike

Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, kanë siguruar trajtimin mjekësor dhe transportin emergjent me aeroplan special të Abdurrahman Memajt, i cili ditë më parë u lëndua rëndë nga shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren.

Me këtë rast, BIK ka falënderuar ambasadën e Turqisë dhe Qeverinë turke për mundësinë e trajtimit mjekësor në Qendrën Hulumtuese Spitalore për diegie të thella në Stamboll të Turqisë.

“Lusim Zotin Fuqiplotë që Abdurrahman Memaj të gjejë shërim dhe të kthehet, shëndosh e mirë pranë familjes së tij”, është shkruar në njoftim.

Ndryshe, dy persona janë lënduar në natën e Vitit të Ri nga shpërthimi që dyshohet se u shkaktua nga ndezja aksidentale mjeteve piroteknike. Një 25-vjeçar nga fshati Zhur, i cili punonte si shitës në këtë pikë, ka pësuar lëndime të rënda – i cili është trajtuar në QKUK.

Shpërthimi ka dëmtuar rëndë edhe objektet përreth – ku dëmi thuhet të jetë mijëra euro.