BIK-u, partner i fuqishëm në luftimin e ekstremizmit

Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni Sinani, ka thënë se BIK-u është një partner i fuqishëm i Qeverisë në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit që mund të shpie në terrorizëm.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se gjendja e vështirë ekonomike, arsimimi jo i duhur dhe mosnjohja e mjaftueshme e mësimeve islame kanë ndikuar që disa të rinj nga Kosova t’u bashkohen luftërave të pakuptimta në Siri dhe Irak.

Sinani ka bërë me dije se BIK-u në vazhdimësi ka punuar në drejtim të vetëdijesimit të qytetarëve, veçmas të të rinjve, për të mos iu bashkuar këtyre luftërave. Mirëpo, sipas tij, në kohën e internetit disa gjëra nuk mund të kontrollohen. Në këtë intervistë Sinani ka folur edhe për ndërtimin e xhamisë qendrore në lagjen “Dardania”. Ai ka thënë se nuk janë duke kuptuar pse po ndodh tërë kjo neglizhencë nga organet kompetente të Komunës së Prishtinës për lëshimin e lejes së punës.

Sinani ka bërë me dije se nga Kosova këtë vit për ta kryer haxhin kanë udhëtuar 860 besimtarë.