BIK: Mesazhi i kësaj xhumaje, sensibilizimi nga rreziku i përdorimit të drogave

Bashkësia Islame e Kosovës njofton se nesër, në të gjitha xhamitë e Kosovës, në hytbenë e xhumasë, do të jepet mesazh i njësuar kundër përdorimit të narkotikëve dhe në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës së Qeverisë të themeluar për këtë qëllim.

“Të enjten e kaluar, më 18. 07. 2019, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava është takuar me shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, z. Avdullah Hasanin. Nga takimi me z. Hasanin, Myftiu Tërnava ka marrë vendimin që hytbeja e kësaj të premteje (e ditës së nesërme) të jetë e njësuar në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve”.

“Myftiu Tërnava ka vlerësuar si shumë të qëlluara dhe ka përgëzuar qeverinë për vendimet e saj për të themeluar Task-Forcë dhe për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve në shkolla dhe përgjithësisht nga të rinjtë dhe ka shprehur gatishmërinë që Bashkësia Islame t’i ofrojë Task-Forcës në gjithë veprimtarinë e saj asistencën e kërkuar fetare”, thuhet në komunikatë.