BIK me mesazh për Bajram: Të jemi më mëshirues e tolerant

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkisë Islame të Kosovës, Reshat Mexhidi ka dhënë një mesazh urimi duke thënë se kjo është festë madhështore të cilën besimtari e stolisë me përkushtim, sakrificë e flijim.

Në një deklaratë për media Mexhidi, është shprehur se festa e Bajramit sjellë mënyrën më të mirë për mësimet hyjnore, barazinë, unitetin e solidaritetin.

Ai është shprehur se Kuban Bajrami reflekton adhurimin ndaj Krijuesit ndërsa ka për qëllim arritjen e devotshmërisë.

“Festa e Kurban Bajramit, përveç që reflekton adhurimin e Krijuesit Fuqiplotë në vete ka edhe simbolikën e flijimit, që tek ne vjen nga koha e Ibrahimit a.s., e që për mision ka vlerat e kamotshme të humanitetit, solidaritetit, bamirësisë, e mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë, sepse edhe flijimi i kurbanit që e bëjmë me këtë rast nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut, por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë”, tha ai.

Ai bëri thirrje që qytetarët të jenë më mëshirues e bujarë, dhe të ndihmojnë njerëzit në nevojë sa më shumë.

“Në këtë ditë feste e gëzimi, thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më human e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojmë njëri-tjetrin, skamnorët, jetimët dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Njerëzimi duhet të kultivojë vlera më të mira për një shoqëri më të shëndoshë, për një unitet e vëllazëri më të mirëfilltë”, tha ai.

Mexhidi bashkëngjiti lutjet e tij për falje e mëshirë për me miliona haxhinj që kanë shkuar në Haxh, duke uruar që t’iu pranohet haxhi dhe lutjet( ibadetet)