BIK: Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin ndaj imamit të Lupçit

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka dënuar sulmin ndaj imamit të xhamisë së fshatit Lupç i Poshtëm, të Komunës së Podujevës, Zeqir Berisha.

Sipas BIK-ut, sulmi i mbrëmshëm ndaj imamit në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar. Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës”, thuhet në reagim.

Nga BIK-u kanë thënë se mbështesin dhe i qëndrojnë afër imamit, teksa kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që të japin vendimet e duhura.

“Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, thuhet më tej në reagimin e BIK-ut.