Megjithëse është paraparë që sot në ora 15:00 të fillojë aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti, ueb-faqja trusti10.org nuk është duke funksionuar.
Kjo faqe ishte hapur pikërisht për të shmangur ngarkesat apo problemet teknike dhe për të lehtësuar procedurat e aplikimit për qytetarët.
Kryeministri Avdullah Hoti ditë më parë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike takoi përfaqësuesit e Trustit dhe Bankës Qendrore të Kosovës për të diskutuar rreth zbatimit të këtij Ligji.
“E falënderoj Trustin dhe BQK-në për kryerjen e të gjitha procedurave në mënyrë që qytetarët shumë shpejtë të fillojnë procedurën e aplikimit për tërheqjen e këtyre fondeve. Nga informatat që morëm është hapur edhe ueb-faqja. Të gjitha përgatitjet janë bërë, të premten në orën 15:00 hapet sistemi për të aplikuar për tërheqjen e mjeteve”, kishte thënë kreu i ekzekutivit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Pas miratimit, ky Ligji është dekretuar nga Zyra e Presidencës dhe ka hyrë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Qeveria e Kosovës me ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.