Bie importi i veturave, dogana inkason afër 6 milionë euro më pak

Kufizimi i importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet hyri në fuqi më 1 janar 2018, me arsyetimin se në Kosovë po importohet një numër i madh i veturave të vjetra që po shkaktojnë probleme si në komunikacion, por edhe në ndotje të mjedisit.

E kohët e fundit kjo temë është ‘ndezur’, pas iniciativës së disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të shfuqizohet neni që kërkon kufizimin e veturave të vjetra. Që nga hyrja në fuqi e ligjit, importi i veturave në përgjithësi ka rënë. Përderisa vitin e kaluar në pikat kufitare kanë hyrë 13 mijë e 324 vetura, këtë vit importi i veturave është 8 mijë e 479 vetura.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci për Indeksonline ka thënë se rënia e importit të veturave është për shkak të kufizimit të vjetërsisë dhe kufizimit në motor.

“Importi i vetura ne përgjithësi ka renë pas kufizimit për vjetërsi (10 vite) dhe kufizimit në motor (EURO 4), gjatë vitit 2017 kishim në total 13 324 (të reja dhe të përdorura), derisa ketë vit kemi import 8 479 automjete (të reja dhe të përdorura) pra ka një ulje prej 36% më pak”, ka thënë Stavileci. Mirëpo, rënia e importit të veturave ka pasur implikime në të hyrat, të cilat dukshëm kanë shënuar rënie. “2017 vlera e importit të automjeteve ishte 80.6 milionë derisa taksat e paguara ishin në lartësinë prej 32.2 milionë euro. Ndërsa, 2018-ën vlera e importi të automjeteve është 84 milionë derisa taksat e paguara janë në lartësinë prej 26.3 milionë euro”, thuhet tutje në përgjigjën e tij.

Në anën tjetër, kufizimi i importit të veturave të vjetra ka ndikuar që të rritet importi i veturave të reja.

“Derisa kemi rënie te importit te vetura te përdorura për 44% (shprehur ne cope 2017 – 12006 cope, 2018 – 6671 copë) kemi rritje te importit te veturave te reja për 36% (shprehur ne cope 2017 – 1324 cope, 2018 – 1808 copë)”, theksohet në përgjigjën e Stavilecit.

Nga Dogana bëhet e ditur se para futjes së kufizimit, rreth 40% e veturave në import i përkisnin vjetërsisë 14 vjeçare, pra të viteve të prodhimit 2003/2004.

Ndërsa, pas futjes së kufizimit kjo mesatare e vjetërsisë ka rënë në 8 vite vjetërsi, transmeton Indeksonline. Sa i përket vendeve prej të cilave importohen veturat, brendet Gjermane dominojnë me rreth 70%, pastaj Franca, Rumania Japonia, Spanja e tjera vende.

Kjo temë për ndryshimin e ligjit është riaktualizuar nga deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, të cilët kërkuan të ndryshohet neni 44 i Ligjit për Automjete me anë të cilit kërkohet mos lejimi i importit të automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet.

Mirëpo, ndryshimi i këtij neni po kundërshtohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, të cilët thonë se veturat e vjetra po shkaktojnë kaos ambiental.

“Paradoksi qëndron në faktin që derisa në Evropë dhe vende të zhvilluara bëhet ‘luftë’ dhe hartim i strategjive për të ndaluar tërësisht lëvizjen e veturave nëpër qendra të mëdha dhe në veçanti ndalimin e veturave diesel, në Kosovë ndodh e kundërta ku krahas kaosit ambiental që mbretëron, nga deputetet kosovar kërkohet që Kosova të shndërrohet në deponi të mbeturinave pa pasur parasysh faktin e dëmit që u shkaktohet qytetarëve, por edhe sigurisë në komunikacion ku jemi dëshmitarë që po thejmë rekorde të aksidenteve, madje edhe me fatalitet e një ndër arsyet është edhe mos siguria në rrugë dhe vjetërsia e veturave”, thuhet në reagim e tyre.

Kujtojmë që përgjatë muajve të viti 2017, mesatarja e importit të veturave ishte prej 2 mijë e 895 vetura për muaj.