Rreth 600 mijë shtetas nga Venezuela dhe më shumë se 230 mijë të tjerë nga El Salvadori që aktualisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë në vend ligjërisht edhe për 18 muaj të tjerë, njoftoi të premten Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, më shumë se një javë para se presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën me premtimin për politika më të ashpra ndaj emigracionit.
Administrata e presidentit Biden ka përkrahur fort Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme, përfitues të të cilit janë rreth 1 milionë njerëz nga 17 vende të ndyshme.
Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme, i njohur me inicialet TPS, lejon individët që ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara që të qëndrojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme në SHBA në rast se atdheu i tyre konsiderohet i pasigurtë, për shkak të fatkeqësive natyrore, konflikteve të armatosura apo ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme.
E ardhmja e programit të ‘Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme’ është e pasigurt nën drejtimin e presidentit Trump, i cili u përpoq të kufizonte ndjeshëm përdorimin e tij gjatë mandatit të parë si President.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare zgjati afatin e qëndrimit në SHBA edhe për 103 mijë shtetas nga Ukraina dhe 1900 nga Sudani, që tanimë jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Ky status i lejon individët që të qëndrojnë ligjërisht në vend, por nuk u siguron atyre një rrugë afatgjatë drejt marrjes së shtetësisë. Ata varen nga qeveria, nëse do ta rinovojë statusin e tyre kur të skadojë. Kritikët konservatorë kanë thënë se me kalimin e kohës, rinovimi i ndodh automatikisht, pavarësisht gjendjes në vendin e origjinës së personit.
Njoftimi i së premtes, i cili erdhi pasi presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro mori detyrën për një mandat të tretë gjashtëvjeçar, “bazohet në emergjencën e rëndë humanitare me të cilën vazhdon të përballet vendi për shkak të krizave politike dhe ekonomike nën regjimin e Maduros”, tha Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare
Ky Departament përmendi “kushtet mjedisore në El Salvador që pengojnë individët të kthehen”, veçanërisht shirat e dendur dhe stuhitë në dy vitet e fundit.
Në muajt e fundit, aktvitistët kanë shtuar trysninë ndaj administratës Biden për të kërkuar zgjatje të progamit TPS për ata që tashmë janë përfitues si edhe për të mbrojtur njerëzit nga vende të tjera si Guatemala dhe Ekuadori. /ZëriiAmerikës