Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha të enjten se uragani Ian, i cili shkaktoi përmbytje dhe shkatërrim në Florida, “mund të jetë më vdekjeprurësi” në historinë e këtij shteti amerikan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ky mund të jetë uragani më vdekjeprurës në historinë e Floridës. Shifrat janë ende të paqarta, por ne po dëgjojmë raporte të hershme për atë që mund të jetë humbje e konsiderueshme e jetëve”, tha Biden nga selia e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA).
Stuhia u largua nga Florida të enjten pasi zbarkoi si uragan shkatërrues i kategorisë 4.
Dëme të gjera katastrofike janë lënë në pjesën më të madhe të Floridës jugperëndimore, ndërsa 2,6 milionë njerëz vazhdojnë të kenë mungesë energjie dhe mijëra të tjerë mbeten të bllokuar. Guvernatori Ron DeSantis ka publikuar një vlerësim të tmerrshëm, duke thënë se uragani Ian ka shkatërruar infrastrukturën kritike dhe shtëpi.
“Mesazhi im për njerëzit e Floridës: Kur vendi është në momente të tilla, Amerika bashkohet. Ne do të bashkohemi si një ekip, si një Amerikë”, tha presidenti Biden.
Biden paralajmëroi banorët në zonat e prekura që t’u binden paralajmërimeve dhe udhëzimeve nga zyrtarët e emergjencës dhe të mos dalin jashtë ndërsa uji po pakësohet.
Në komentet e tij, ai përsëri paralajmëroi kompanitë e naftës dhe gazit për rritjen e çmimit të gazit.
“Mos e përdorni këtë stuhi si justifikim për të rritur çmimet e benzinës ose për të mbingarkuar qytetarët amerikanë”, shtoi ai.
Ian aktualisht gjendet në Oqeanin Atlantik teksa po forcohet edhe një herë, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se do të kthehet sërish në uragan përpara se të zbarkojë të premten në shtetin e Karolinës së Jugut, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Një paralajmërim uragani është lëshuar për të gjithë vijën bregdetare të shtetit jugor.
Më herët, sherifi i Qarkut Lee të Floridës, Carmine Marceno, tha se ai “definitivisht” e di se numri i të vdekurve do të arrijë në qindra.
“Ka mijëra njerëz që presin të shpëtohen”, tha Marceno për programin Good Morning America në ABC News.
“Nuk mund të arrijmë deri te njerëzit. Ky është problemi”, shtoi ai.
Marceno më vonë konfirmoi për CNN se zyrtarët kanë konfirmuar pesë viktima.
I’m delivering remarks following a briefing on impacts from Hurricane Ian and ongoing Federal response efforts. https://t.co/eDUV0N39W8
— President Biden (@POTUS) September 29, 2022