Biden: Telefonatë personale me Putinin për konfliktin në Ukrainë

Në funksion të tensioneve të vazhdueshme rreth Ukrainës, presidenti amerikan Joe Biden planifikon të flasë sot personalisht në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftoi Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

Kjo bisedë do të shërbejë si konsultime paraprake, që do t’u hapin rrugën takimit të planifikuar për më 10 janar në Gjenevë mbi konfliktin ukrainas, i cili ka javë që po përshkallëzohet.

”Bisedimet ishin me kërkesë të Rusisë”, theksoi një zyrtar i lartë i administratës, duke shtuar se është në interesin e të dyja palëve të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta për të shmangur përshkallëzimin në konflikt.

”Qeveria amerikane është në kontakt të ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj evropianë për të koordinuar përgjigjen ndaj pranisë në rritje ushtarake ruse në kufirin ukrainas”, theksoi Shtëpia e Bardhë.

”Presidenti Biden ka folur tashmë personalisht për këtë çështje edhe me homologët e tij në Evropë”, shpjegoi më tej Këshilli i Sigurisë Kombëtare. /atsh