Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi strategjinë e parë kombëtare për luftë kundër antisemitizmit, tha Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu.
“Kjo strategji përfshin mbi 100 veprime të reja që administrata do të ndërmarrë për të rritur ndërgjegjësimin për antisemitizmin dhe kërcënimin e tij ndaj demokracisë amerikane, për të mbrojtur komunitetet hebraike, për të mënjanuar normalizimin e antisemitizmit dhe për të ndërtuar solidaritetin ndërkomunitar”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Ndryshe, Biden krijoi Komitetin e Politikave Ndërinstitucionale për Antisemitizmin, Islamofobinë dhe Format e Përafërta të Paragjykimeve dhe Diskriminimit, të udhëhequr nga Këshilli i Politikave të Brendshme të Shtëpisë së Bardhë dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Si detyrë e parë, Biden e ngarkoi grupin të prodhonte strategjinë e parë kombëtare të SHBA-së për të luftuar antisemitizmin në vend.
Strategjia kombëtare propozon një plan gjithëpërfshirës shoqëror që përballet me përshkallëzimin aktual të urrejtjes dhe hedh themelet për reduktimin e antisemitizmit me kalimin e kohës.
Strategjia gjithashtu bën thirrje për përmirësimin e sigurisë për komunitetet hebreje, duke kundërshtuar normalizimin e antisemitizmit dhe diskriminimit antisemitik.