Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Biden: SHBA do të ndjek terroristët, do të përgjigjet me forcë dhe...

Biden: SHBA do të ndjek terroristët, do të përgjigjet me forcë dhe saktësi

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden konfirmoi mbrëmë se sulmet pranë aeroportit të Kabulit në Afganistan që lanë të vdekur të paktën 13 ushtarë amerikanë u kryen nga grupi terrorist DEASH/Horosan, dega afgane e DEASH-it dhe premtoi se do të përgjigjen me “forcë dhe saktësi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu referuar DEASH/Horosan si “armiku kryesor i talebanëve”, Biden tha se “ne nuk do t’ua falim, nuk do të harrojmë, ne do t’ju gjuajmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”.

Duke u drejtuar nga Dhoma Lindore e Shtëpisë së Bardhë mbi sulmin terrorist në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, ai tha se SHBA-ja “do të vazhdojnë evakuimet” ndërsa bën plane për të goditur grupin terrorist DEASH/Horosan.

“Amerika nuk do të frikësohet”, nënvizoi ai.

Shpërthime të shumta tronditën kryeqytetin e Afganistanit të enjten, përfshirë dy pranë aeroportit që i shërbenin qytetit, duke lënë të vdekur dhjetëra njerëz dhe duke plagosur mbi 140 të tjerë, sipas raporteve të mediave dhe korrespondentit të AA-së në terren.

“Nuk ka asnjë bashkëpunim” midis talebanëve dhe DEASH/Horosan

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Biden u kërkoi amerikanëve të bashkohen me të në një minutë heshtjeje “për të gjithë ata që janë me uniformë”.

Ata amerikanë që humbën jetën ishin “heronj që përpiqeshin të shpëtonin jetën e të tjerëve”, tha ai. “Ne jemi të zemëruar dhe zemërthyer”, tha Biden.

“Ne kemi disa arsye për të besuar se e dimë se kush janë ata, (por ne nuk jemi të sigurt) dhe do të gjejmë mënyra për t’i zbuluar ata”, tha ai.

Biden nënvizoi se nuk kishte dëshmi të bashkëpunimit mes talebanëve dhe DEASH/Horosan në sulmet e fundit në Kabul.

Presidenti vuri në dukje se DEASH/Horosan, “armiku kryesor i talebanëve”, ka planifikuar një sërë sulmesh komplekse dhe kjo është arsyeja pse ai ishte aq i vendosur të kufizonte fushëveprimin e operacioneve në Afganistan.

Duke iu drejtuar talebanëve, Biden tha: “Askush nuk u beson atyre. Ne thjesht llogarisim në interesin e tyre vetjak për të vazhduar të gjenerojnë aktivitetet e tyre, dhe është në interesin e tyre personal që të largohemi kur thamë dhe të marrim sa më shumë njerëz që mundemi”.

“Talebanët ‘nuk janë njerëz të mirë’, por ata ‘kanë një interes të madh’ në përpjekjen për të mbajtur aeroportin e Kabulit të hapur”, theksoi Biden.

Afganët e cenueshëm

Për afganët e cenueshëm, Biden vazhdoi duke thënë se nxjerrja e “çdo personi” nga Kabuli “nuk mund të garantohet”.

“Unë them se ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’ju nxjerrim edhe pas 31 gushtit”, tha ai.

Biden theksoi se ka shtetas të tjerë amerikanë që kanë Kartën e Gjelbër dhe Vizë Speciale Emigruese (SIV) dhe afganët “të cilët na kanë ndihmuar” dhe të tjerë që kanë kontaktuar me palën amerikane që “janë deklaruar shprehimisht se duan të largohen”, shtoi se “do të përpiqen t’i evakuojnë në disa ditët e ardhshme”.

Ai theksoi se numri i njerëzve të evakuuar nga Afganistani që nga 14 gushti ka tejkaluar 100 mijë.

“SHBA-ja do t’u përgjigjet sulmeve në Kabul me forcë precize në kohën e duhur, vendin dhe momentin që do të zgjedhim”, tha ai.

Biden theksoi gjithashtu se ai urdhëroi komandantët amerikanë të zhvillojnë plane operacionale “për të goditur pozicionet e DEASH/Horosan, udhëheqjen dhe objektet e saj”, duke shtuar se ata mund të dërgojnë forca shtesë në Afganistan nëse është e nevojshme.

“Unë mbaj përgjegjësi thelbësore për gjithçka që ka ndodhur kohët e fundit”, shtoi ai.

“Unë kurrë nuk kam pasur qëndrim të sakrifikimit të jetëve amerikane për të krijuar një qeveri demokratike në Afganistan, e cila kurrë nuk ka qenë e bashkuar dhe e përbërë nga fise që nuk janë pajtuar kurrë”, tha presidenti i SHBA-së.

“Do t’i vrasim terroristët kudo që janë”

Pas Bidenit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki gjithashtu u bashkua me konferencën për media, duke folur për zhvillimet e fundit pas sulmit në Kabul.

“Ne do t’i qëllojmë këta terroristë dhe do t’i vrasim kudo që janë”, tha ajo, duke iu referuar grupit terrorist DEASH/Horosan.

Psaki theksoi se komandantët ushtarakë amerikanë vazhdojnë të besojnë se është “jetike” të largohen nga Kabuli deri në afatin e 31 gushtit.

Ajo tha se rreth 7.000 njerëz janë evakuuar në 12-13 orët e fundit nga Afganistani, duke shtuar se diskutimet me talebanët janë duke vazhduar rreth asaj se si të koordinohen për nxjerrjen e amerikanëve dhe aleatëve të saj nga Afganistani pas 31 gushtit.

“Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejt me çdo qytetar amerikan (në Afganistan)”, tha ajo.

Më vonë të enjten, në një deklaratë për nderimin e viktimave të sulmit në Kabul, Biden urdhëroi që flamuri i kombit të ulej në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë, në të gjitha ndërtesat dhe bazat publike, në të gjitha bazat ushtarake dhe detare, në të gjitha anijet ushtarake detare dhe vende të tjera të lidhura “deri në perëndim të diellit” më 30 gusht.

“Unë gjithashtu urdhëroj që flamujt të ulen në gjysmë shtizë për të njëjtën kohë në të gjitha ambasadat, zyrat konsullore të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, përfshirë të gjitha objektet ushtarake, anijet dhe bazat detare”, thuhet në deklaratë. /aa

Exit mobile version