Presidenti amerikan Joe Biden ka vazhduar me ushtrimin e kompetencave pasi përkohësisht ia barti zv/presidentes Kamala Harris, për shkak se iu nënshtrua një procedure mjekësore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Biden për këtë me një letër e njoftoi presidentin e përkohshëm të Senatit, Patrick Leahy, duke u shprehur se “është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat e Zyrës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara”, duke shtuar se do të vazhdojë me ushtrimin e këtyre kompetencave dhe detyrave.
Presidenti amerikan përkohësisht ia barti kompetencat Harris-it përderisa ai iu nënshtrua një kronoskopie rutinë në një spital në Maryland para ditëlindjes së tij të 79-të të shtunën. Nga Shtëpia e Bardhë thonë se nuk është e pazakontë që presidenti t’ia dorëzojë kompetencat zëvendësit të tij përderisa është në anestezion.
“Siç ishte rasti me presidentin George W. Bush kur ai kishte ndërhyrjen e njëjtë në vitin 2002 dhe 2007, ashtu edhe sipas procesit të përcaktuar në Kushtetutë, presidenti Biden do t’ia bartë kompetencat zv/presidentes për një kohë të shkurtër kur ai është nën anestezion”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Më tej, Psani në Twitter tha se Biden zhvilloi një bisedë telefonike me zv/presidenten HArris dhe me Shefin e Stafit, Ron Klain, duke u shprehur se “ndihet mirë dhe në atë kohë ka vazhduar me kompetencat”.
Zëdhënësja gjithashtu tha se presidenti Biden do të mbetet në spital derisa të përfundojë edhe pjesën tjetër të procedurës mjekësore. /aa