Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se shpimet e naftës dhe gazit natyror do të ndalohen në një pjesë të madhe të ujërave territoriale, transmeton Anadolu.
Biden nënshkroi dy memorandume për të parandaluar shpimet e reja të naftës dhe gazit natyror, vetëm disa ditë përpara se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të fillojë detyrën pas betimit më 20 janar.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden ka thënë se në kuadër të fushës së ndalimit, nuk do të ketë shpime të reja të naftës dhe gazit natyror në ujëra si në brigjet lindore dhe perëndimore, në lindje të Gjirit të Meksikës dhe në një pjesë të Detit të Beringut.
“Kryerja e shpimit në këto brigje mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme ndaj vendeve për të cilat ne i vlerësojmë dhe nuk janë të nevojshme për të përmbushur nevojat e vendit tonë për energji”, tha Biden.
Në kuadër të ndalesës do të mbrohen nga shpimi mbi 625 milionë dynymë (253 milionë hektarë) sipërfaqe ujore, tha Biden i cili shtoi se ky vendim është në përputhje me politikat klimatike të SHBA-së.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, kompanive iu dha leja për të eksploruar naftë dhe gaz në disa zona të rajonit, gjë që shkaktoi reagime nga ambientalistët.
Trump, i cili u zgjodh presidenti i 47-të i SHBA-së, deklaroi vazhdimisht gjatë fushatës së tij zgjedhore se do të inkurajonte aktivitetet e shpimit me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë dhe uljen e çmimeve të energjisë.