Biden mirëpret liderët polakë, miraton ndihmën e re ushtarake për Ukrainën

Pavarësisht ngërçit në Kongres, administrata e Joe Biden ripohoi mbështetjen e saj për Ukrainën duke njoftuar ndihmën e re ushtarake për Kievin, ndërsa presidenti amerikan u takua me presidentin dhe kryeministrin polak në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne duhet të veprojmë përpara se të jetë vonë. Sepse Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë”, tha Biden teksa mirëpriti homologun e tij polak Andrei Duda dhe kryeministrin polak Donald Tusk në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne nuk duhet të lejojmë që imperializmi rus të prishë stabilitetin dhe ekzistencën paqësore të Europës”, ​​theksoi ai pas takimit të tij me Dudën.

Ndërkohë, SHBA miratoi një kontratë për t’i shitur pajisje ushtarake Polonisë aleate të NATO-s, e cila i siguron Varshavës raketa ajër-tokë me rreze të gjatë dhe raketa ajër-ajër me rreze të mesme veprimi për 3.5 miliardë dollarë.

Uashingtoni njoftoi 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, një shumë shumë më e ulët se ajo që Biden ka kërkuar prej muajsh.

Kjo ndihmë përfshin kryesisht raketa kundërajrore, municione dhe mortaja për artilerinë dhe u përgjigjet “disa nevojave emergjente të Ukrainës”, theksoi Jake Sullivan, këshilltar i presidentit amerikan.

Lufta në Ukrainë ishte në qendër të diskutimeve të Biden me udhëheqësit polakë dje.

Kundërshtarët politikë, presidenti konservator i Polonisë dhe kryeministri i saj pro-BE shprehën një dëshirë për mirëkuptim përpara udhëtimit.

Duda vlerësoi të hënën se vendet anëtare të NATO-s duhet të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake nga 2% në 3% të PBB-së së tyre në mënyrë që të japin “një përgjigje të qartë dhe të guximshme ndaj agresionit rus”.

“Ukrainës nuk i mungon guximi dhe këmbëngulja, i mungojnë municionet. Dhe nuk ka më kohë”, tha shefi i CIA-s, Bill Burns. /abcnews