Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka kërcënuar të përgjigjet me masa ekonomike “të fuqishme” nëse Rusia përshkallëzon agresionin ushtarak kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtëpia e Bardhë njoftoi se kërcënimi erdhi në një video-telefonatë dy-orëshe midis presidentit amerikan dhe atij rus, ku ata diskutuan disa çështje në agjendën SHBA-Rusi.
“Presidenti Biden shprehu shqetësimet e thella të SHBA-së dhe aleatëve tanë evropianë për përshkallëzimin e forcave të Rusisë që rrethojnë Ukrainën dhe e bëri të qartë se SHBA dhe aleatët tanë do të përgjigjen me masa të fuqishme ekonomike dhe të tjera në rast të përshkallëzimit ushtarak”, thuhet në njoftim.
Biden përsëriti mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe bëri thirrje për de-përshkallëzim dhe kthim në diplomaci.
“Të dy presidentët i ngarkuan ekipet e tyre për ta çuar deri në fund dhe SHBA do ta bëjë këtë në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët”, theksohet në njoftim.
Biden dhe Putin, tha Shtëpia e Bardhë, po ashtu “diskutuan dialogun SHBA-Rusi mbi stabilitetin strategjik, një dialog të veçantë mbi (softuerin) ‘ramsomëare’, si dhe punën e përbashkët për çështjet rajonale si Irani”.
Biden është planifikuar që më vonë të bisedojë me aleatët evropianë. Ai do të thërrasë në një telefonatë presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministrin italian, Mario Draghi, si dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson.
“Në thirrjen e tyre të djeshme, liderët u pajtuan të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse në përgjigje të ngritjes ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë në një njoftim tjetër derisa po zhvillohet video-telefonata.
Dje, liderët diskutuan shqetësimin e tyre të përbashkët në lidhje me ngritjen ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës dhe retorikën gjithnjë më të ashpër të Rusisë.
“Ata i bëjnë thirrje Rusisë të de-përshkallëzojë tensionet dhe u pajtuan se diplomacia, veçanërisht përmes Formatit të Normadis, është e vetmja rrugë për të zgjidhur konfliktin në Donbas përmes zbatimit të Marrëveshjes së Minskut”, tha Shtëpia e Bardhë. /aa