Presidenti amerikan, Joe Biden tha të premten se “jemi më afër se kurrë” për një armëpushim në Gaza pasi negociatat në Doha u pezulluan deri në javën e ardhshme. Megjithatë, duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan paralajmëroi se nuk kishte ende një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit.
“Mund të kemi diçka. Por ne nuk jemi ende atje”, u tha Biden gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. “Jemi shumë, shumë më afër se sa ishim tre ditë më parë. Pra, mbani gishtat të kryqëzuar.”
Një marrëveshje e mundshme do të parashikonte lirimin e pengjeve të mbajtura që nga sulmet e 7 tetorit në Izraelin jugor, në të cilat u vranë më shumë se 1200 njerëz dhe më shumë se 250 u morën peng.
Megjithatë, zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhi, duke folur për Reuters, akuzoi administratën amerikane se po përpiqet të krijojë një “atmosferë të rreme pozitive”, por nuk ka asnjë qëllim real për të ndaluar luftën në Gaza dhe po përpiqet vetëm të blejë kohë.
Nga ana e tij, Izraeli theksoi se presioni nga ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe SHBA-ja do ta shtyjë Hamasin të pranojë një armëpushim për marrëveshjen e lirimit të pengjeve të propozuar më 27 maj, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. /abcnews