Presidenti amerikan, Joe Biden premtoi të hënen se do t’i tregonte presidentit rus, Vladimir Putin se cilat janë “linjat e kuqe” gjatë takimit të tyre të mërkurën në Gjenevë.
“Ne nuk po kërkojmë një konflikt me Rusinë, por ne do të përgjigjemi nëse Rusia vazhdon aktivitetet e saj”, deklaroi ai në një konferencë shtypi në përfundim të samitit të NATO-s në Bruksel.
Joe Biden pranoi se presidenti rus, Vladimir Poutine është një njeri “inteligjent” dhe i “rëndë”.
“Por ai duhet të kuptojë se vdekja e opozitarit të burgosur Alexeï Navalny do të ishte një tragjedi”, theksoi ai.
Presidenti amerikan dënoi gjithashtu aktet agresive të Rusisë dhe këmbënguli në vullnetin e tij dhe atë të NATO-s për të mbështetur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
Rusia ka aneksuar Krimenë në 2014 dhe mbështet separatistët prorusë në lindje të Ukrainës.
“Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur që Ukraina të mund t’i rezistojë agresionit”, theksoi Joe Biden.
Por ai theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Ukrainës në NATO, kërkuar me këmbëngulje nga presidenti, Volodymyr Zelensky, nuk varet nga ai, por nga një vendim i 30 anëtarëve të NATO-s. /atsh