Presidenti i Shteteve të Bashkuara (ShBA), Joe Biden argumentoi se askush nuk priste që forcat afgane të sigurisë të shpërbëheshin brenda një kohe kaq të shkurtër dhe se situata në Kabul ishte pasojë e këtij kolapsi të shpejtë.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Biden vlerësoi operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të evakuuar nga Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul amerikanët e mbetur në Afganistan, afganët dhe disa shtetas të tjerë të vendeve të treta që i kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara dhe e kanë kaluar filtrin e sigurisë.
“Momentalisht në Kabul ndodhen me detyrë rreth 6.000 ushtarë amerikanë. Ky operacion është një nga operacionet më të vështira të evakuimit nga ajri në histori”, tha presidenti amerikan dhe shtoi: “Sipas shifrave të fundit ne kemi evakuuar tashmë më shumë se 13.000 njerëz që nga 14 gushti”.
Biden theksoi se sipas marrëveshjes që kanë arritur me Talibanin, ky i fundit ka siguruar mundësinë që shtetasit e ShBA-së që tregojnë pasaportën amerikane të shkojnë të sigurt deri në aeroport.
Ai gjithashtu shtoi se Talibanit ia kanë komunikuar disa herë që në qoftë se ndërhyjnë ndaj ushtarëve amerikanë ose operacionit të evakuimit do të marrin përgjigjen më të shpejtë dhe të fuqishme.
Biden premtoi se nuk do të lënë prapa asnjë shtetas amerikan që dëshiron të largohet nga Afganistani.
Pyetjes se do të ketë më ushtarë amerikanë në Afganistan pas 31 gushtit, Biden iu përgjigj kështu: “Këtë do ta vlerësojmë kur të vijë koha”.
Presidenti Biden, i cili pretendoi se disa mbështetës të DAESH ishin liruar nga burgjet (nga talibanët) në Afganistan, tha gjithashtu se ata kishin ndërmarrë veprime kundër kërcënimeve të mundshme terroriste rreth aeroportit të Kabulit.
“Sidoqoftë duhet thënë se DAESh dhe talibanët janë armiq të betuar të njëri -tjetrit në Afganistan”, u shpreh presidenti amerikan.
Kur u pyet nëse ishte bërë ndonjë vlerësim i gabuar i informacioneve të inteligjencës nga administrata amerikane lidhur me përparimin dhe marrjen kaq shpejt të kontrollit të vendit nga talibanët, Presidenti amerikan Biden e drejtoi gishtin tek administrata afgane the tha:
“Edhe pse ne ishim në kontakt me talibanët në Doha, kolapsi i plotë i forcave kombëtare afgane ishte një diçka e papritur për ne. Do të kishte qenë një histori krejt tjetër nëse forcat afgane të sigurisë do të kishin luftuar gjatë rrethimit të Kabulit. Opinioni i përbashkët ishte se forcat afgane të sigurisë nuk do të shpërbëheshin në këtë mënyrë, ose nuk do të largoheshin nga vendi i tyre, apo do t’i linin armët kaq shpejt. Por kjo është ajo që ndodhi”.
Në lidhje me procesin në të ardhmen kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri këtë vlerësim: “Planin e veprimit ne do ta përgatisim duke parë se si do të veprojë Talibani këtej e tutje dhe do të përpiqemi të përcaktojmë një politikë të përbashkët si aleatë në samitin online të G7-s që do të mbahet javën e ardhshme. /trt