Biblioteka e Zelandës së Re më në fund ka zgjidhur misterin pse disa libra po zhduken nga raftet e saj.
Stafi i Bibliotekës së Auckland ishte i hutuar pasi u gjetën disa libra që ishin fshehur në vende të rëndomta.
Fillimisht mendonin se fëmijët që po luanin ishin shkaktarët, por më vonë zbuluan se ishin të pastrehët e qytetit që po i fshehin librat në mënyrë që ata të mund të ktheheshin të nesërmen për të vazhduar leximin.
“Shumë nga komuniteti ynë i rrugës i futnin ato nën shtretër ose nën raftet e librave duke dashur t’i fshehin ato në vende të ndryshme”, tha për TV NZ, bibliotekari Sean Taylor, përcjell KultPlus.
“Dhe për një bibliotekar është vërtet e çuditshme, ne gjatë gjithë kohës reagonim ‘oh çfarë po bën ky libër këtu?’ Dhe e kthenim atë në vendin e duhur”, vazhdoi tutje ai.
Stafi më vonë mësoi se disa prej njerëzve të pastrehë të qytetit po fshehin librat, duke u shpjeguar se nuk kishin një adresë të përhershme dhe kështu nuk ishin në gjendje të regjistroheshin për një kartë bibliotekare që do t’u lejonte atyre të merrnin librat me vete.
Kështu si zgjidhje, Biblioteka Auckland vendosi të krijoi një seksion të ri ku librat tani mund të lihen brenda natës dhe të merren përsëri mëngjesin tjetër. “Ne tashmë e kemi këtë shërbim ku mund ta mbash librin në raft, dhe kur kthehesh në mëngjes, e merr atë dhe i kthehesh përsëri leximit”, shtoi Taylor.
“Ata janë lexues vërtet të mirë. Në mesin e tyre është një djalë me të cilin kam pasur një diskutim rreth kuptimit të fjalëve, me të po ashtu do të flasim edhe për seksionin e referencave dhe është një lloji bisede intelektuale e cila pritet nga një akademik “, ka përfunduar Taylor.
Bibliotekat e Auckland kishte shkruar në një postim në Facebook se janë krenarë që mund t’i mbështesin lexuesit nga të gjitha sferat e jetës, duke shtuar se Biblioteka e Auckland thotë e sheh veten si një “shtëpi për të pastrehët” dhe mban shfaqje të rregullta kinemaje dhe ofron një klub librash për ata që flenë jashtë.
Rachel Rivera, drejtoreshë e Bibliotekave të Auckland, thotë se ndërtesa është një vend ku njerëzit e pastrehë mund të vijnë për tu bashkuar dhe për tu relaksuar.
“Kam dëgjuar në radhë të parë rëndësinë e bibliotekave për klientët tanë të pastrehë. Një djalë më tha se ai u zhvendos në qytet disa vite më parë dhe se asnjë nga familjarët e tij në shtëpi nuk e dinte që ishte i pastrehë.
Ai i përdorte kompjuterët tanë për të mbajtur kontaktet me ta. Ishte një litar shpëtimi për familjen e tij”, tha Rivera.
“Ata çmojnë shërbimin tonë, siç bëjnë shumë nga komunitetet tona, për arsye të ndryshme.
Por ata nuk ndjehen gjithmonë të sigurt dhe të mirëpritur, dhe kjo është diçka që ne mund dhe duhet të ndërmarrim hapa për të adresuar “, përfundoi ajo./Mesazhi/