Austria sot është bërë me kancelar të ri, dy ditë pasi Sebastian Kurz dha dorëheqjen për shkak të akuzave për korrupsion, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ish-ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg u betua sot si kancelar në një ceremoni në zyrën e presidentit Alexander Van der Bellen.
Michael Linhart u bë ministri i ri i Punëve të Jashtme të Austrisë.
Kurz, 35-vjeçar, të shtunën dha dorëheqjen për të zbutur krizën politike të shkaktuar nga njoftimi i prokurorisë se kancelari është një nga objektivat e hetimit të dyshuar mbi ryshfet dhe shkeljen e besimit.
Kurz dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë akuzohen se janë përpjekur të sigurojnë ngritje në krye të partisë së tyre dhe shtetit me ndihmën e sondazheve të manipuluara dhe raporteve miqësore të mediave, të financuara nga paratë publike.
Edhe pse po largohet nga posti i kancelarit, ai ruan rolin e drejtuesit të Partisë Popullore të Austrisë.
Van der Bellen vlerësoi përvojën e dy udhëheqësve të rinj në përfaqësimin e Austrisë jashtë vendit në të kaluarën, por gjithashtu theksoi përgjegjësinë që kanë në rikthimin e besimit të popullit austriak në qeveri.
“Ne të gjithë presim që qeveria të kthehet në punë dhe së bashku të ecë përpara”, tha Van der Bellen.
Schallenberg ka qenë ministër i Jashtëm që nga viti 2019, ndërsa Linhart ishte ambasador i Austrisë në Francë derisa u ftua në Vjenë gjatë fundjavës për të marrë detyrën si kreu i diplomacisë shtetërore. /aa