Ballina Lajmet Maqedoni Besimtari i panjohur nga gurbeti i paguan borxhet e nevojtarëve (Video)

Besimtari i panjohur nga gurbeti i paguan borxhet e nevojtarëve (Video)

Sot ka ndodhur një mrekulli në lagjen Seravë të Shkupit të banuar kryesisht me shqiptarë. Një kurbetçar i Maqedonisë ka vizituar disa dyqane të lagjes dhe ka kërkuar nga pronarët e tyre t’ia deklarojnë të gjitha borxhet e familjeve të varfëra, që blejnë gjera ushqimore me hua. Më pas gurbetçari, identiteti i të cilit nuk dihet, i ka paguar të gjitha borxhet e hallexhinjëve dhe është larguar nga dyqani.

Këtë histori të bukur humanizmi me publikun e ka ndarë një pronar dyqani në këtë lagje të Shkupit. Mensur Krasniqi, pronar i një marketi, për Almakos ka thënë se personin e ka parë për herë të parë në lagje, por ka mbetur i surprizuar nga mirësia e tij.

Krasniqi thotë se gurbetçari pasi është përshëndetur me mirësjellje ka kërkuar nga shitësi të mbledhë shumën e borxhit që kanë banorët e lagjes.

“Unë mora dhe ja numërova të gjithë borxhin dhe ai shprehu gadishmëri që të paguajë të gjithë shumat.

Pronari i marketit falenderon Zotin që nuk ka rënë pre e lakmisë që para këtij njeriu të mirë të fryejë borxhin e komshive apo të paguajë edhe borxhet e vjetra, të cilat ua kishte falur konsumatorëve të lagjes. Ai në cilësinë e pronarit të dyqanit thotë se kohëve të fundit borxh u jep vetëm atyre njerëzve të lagjes cilët vërtetë janë nevojtar.

“Ja mblodha shumën simbolike ai pa ndonjë hamendje e pagoi dhe unë mbeta i habitur nga ky akt human. Ky akt përveç aktit fisnik, familjar dhe bamirës personi i cili dëshiron të ngelet anonim kishte edhe qëllimet e veta se pse donte ta bënte. Ai më tha se këtë e bën për hir të Zotit në emër të zekatit, i cili në fenë islame është detyrim për çdo besimtar”, deklaroi Krasniqi.

Sipas Krasniqit, gurbetçari nuk kishte paguar vetëm borxhet e nevojtarëve në dyqanin e tij, por kishte kërkuar edhe dyqanet e tjera të lagjes.

“Ai më pyeti nëse mund ta parkoj veturën e tij pranë dyqanit tim për të vazhduar bëmirësinë edhe në dyqane të tjera për të paguar borxhin e banorëve të tjerë.”, veçoi Krasniqi.

Krasniqi thotë se në praninë e gurbetçarit ka fshirë borxhet e familjarëve për ta bindur se amaneti i tij ka shkuar në vend, por reagimi i tij e kishte shtangur.

“Pasi mblodha borxhin i thashë të vijë ta shikojë, se do ti fshijë borxhet nga fletorja. Ai nuk pranoi, më tha kjo është puna jote, unë obligimin tim e kryeva”, rrëfen Krasniqi.

Exit mobile version