Mijëra besimtarë muslimanë në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri falën namazin e Fitër Bajramit, që është një nga festat më të mëdha të fesë Islame, raporton Anadolu Agency (AA).
Besimtarë të shumtë janë mbledhur në xhamitë në kryeqytetet Shkup dhe Tiranë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit, ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit muslimanë si dhe personalitete të fushave të ndryshme.
Në organizim të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).
Në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, mesazhin për Fitër Bajram e përcolli Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Qenan Ismaili.
Ai tha se po dalim nga një Ramazan i cili sivjet ishte pak më ndryshe por vetëm nga forma e jashtme e tij se brendia e muajit të bekuar të Ramazanit përkundër pandemisë që imponoi masa të shumta ishte e pandryshuar sikur në 15 shekujt e shkuar të Islamit.
“Mbi atmosferën përplot dilema e ankthe që e krijoi COVID-19 ngadhënjeu besimi ynë ndaj Allahut të madhërishëm. Të nderuar besimtarë këtë Fitër Bajram po e presim me gëzim, me gëzimin të cilin e ndjen vetëm besimtari i vërtetë sepse Bajrami është festë që shpërblen agjërimin dhe ibadetet e tij”, tha Ismaili.
“Me këtë rast të përcjellim një falënderim të veçantë të përgjithshëm edhe shoqërisë administrativo- politike në Republikën e Maqedonisë e cila diti të vlerësojë dhe muslimanët e këtij nënqielli nuk i pengoi nga manifestimi i Fitër Bajramit”, tha kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Edhe në xhamitë tjera të Maqedonisë së Veriut mijëra besimtarë muslimanë falën namazin e Fitër Bajramit.
Ndërkaq në Tiranë ceremonia qendrore e faljes së namazit është mbajtur në Xhaminë e Kokonozit, sipas një protokolli të caktuar të masave, ndërsa besimtarët janë mbledhur edhe në oborrin e xhamisë.
Vitet e kaluar falja e namazit të Bajramit është realizuar edhe në sheshe, por këtë vit për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), besimtarët kanë falur namazin vetëm në xhami.
Besimtarët janë mbledhur së bashku edhe në xhamitë e tjera të Shqipërisë, pasi disa ditë më parë u vendos që të vazhdojnë ritet fetare nëpër xhami.
Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit besimtarët muslimanë vazhdojnë festimet në shtëpitë e tyre, duke shkëmbyer vizita mes të afërmeve.
Që nga 18 maji, në Shqipëri u vendos që të rifillojnë aktivitetet fetare në xhamitë e vendit, që u pezulluan prej më shumë se dy muaj, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit.
– Kosovë, xhamitë pa xhematë për festën e Fitër Bajramit për shkak të COVID-19
Namazi i Fitër Bajramit në xhamitë e Kosovës është pezulluar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për xhematin, për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).
Sot të gjitha xhamitë e Kosovës kanë qenë bosh nga xhemati, megjithëse BIK mori vendim që nga minaret e të gjitha xhamive të “lexohen tekbire dhe salavate nga ora 5 e 45 të ditës së diel, që përkon me hyrjen e kohës së Fitër Bajramit”.
Kështu në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih”, në Prishtinë, kanë prezantuar një grup hoxhallarësh të udhëhequr nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ku është mbajtur ligjëratë, janë lexuar tekbire dhe selavate.
Kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, i cili për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, këtë të premte ka bërë të ditur lajmin për mos hapjen e xhamive për besimtarët për faljen e namazit, u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që të shmangin vizitat tradicionale tek njëri-tjetri për Bajram.
“Ky realitet pa dyshim paraqet një ndjesi jo të këndshme, por megjithatë domosdoshmëri për të mirën tonë dhe për të mirën e shëndetit publik. Edhe pse kemi arsye për festë, kur është në pyetje shëndeti publik dhe kur përballemi me rreziqe të përgjithshme duhet të vepruar e punuar përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm ashtu siç kërkojnë institucionet tona profesionale. Në përballje me pandeminë institucionet tona brenda mundësive kanë bërë më të mirën e mundshme për ta ruajtur shëndetin e popullatës tonë, për çfarë meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë”, tha Tërnava.
Sot sipas paralajmërimit të BIK-ut, nuk do të ketë në selinë qendrore të këtij institucioni por as në selitë e këshillave lokalë të BIK-ut pritje tradicionale për urimin e festës nga udhëheqës institucionesh dhe qytetarë.
Në vend të daljes tek njëri tjetri, BIK bëri thirrje që ruhet karakteri “festiv i Bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj”.
Fitër Bajrami është festa e cila festohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Muslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohet me të varfrit për ta festuar së bashku këtë festë.