Besimi, durim e qëndrueshmëri

Ferid Piku

Profeti ynë Muhamed (a.s) në një nga hadithet e tij thotë: “Është e çuditshme puna e besimtarit. E gjithë jeta e tij është në favor të tij. Në qoftë se i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe shpërblehet për këtë. Në qoftë se i ndodh një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe prapë ia merr shpërblimin kësaj fatkeqësie”. Ai (a.s) gjithashtu thoshte “Vetëm besimtari e ka një privilegj të tillë e askush tjetër përveç besimtarit”.

Sa mirë do të ishte jeta, sikur të kishte vetëm gëzim, kënaqësi, lumturi, qetësi dhe harmoni. Sa e mirë do të ishte kjo jetë, sikur të kishte në të vetëm njerëz të mirë, njerëz që bëjnë mirë, që udhëzojnë për mirë, që nuk bëjnë padrejtësi, njerëz që ua duan të tjerëve vetëm të mirën dhe kurrë s’mendojnë për keq.

Sa mirë do të ishte kjo jetë, sikur në të të kishte drejtësi, liri, të mos kishte dhunë, të mos kishte imponim, të mos kishte gjak, të kishte vetëm të mira. Por ja që ëndrra jonë ka për të mbetur gjithmonë ëndërr dhe kurrë nuk do të realizohet, sepse jeta nuk është siç e do njeriu, por siç ka caktuar Allahu (xh.sh). Jeta është krijesë e Zotit dhe ecën vetëm sipas planit të Zotit.

Përkrah gëzimit është edhe hidhërimi, përkrah lehtësimit është vështirësia, përkrah qejfit dhe lumturisë është halli, lodhja, stresi dhe sikleti.

Përkrah njerëzve të mirë, janë edhe njerëzit e këqinj. Kur Zoti krijoi Ademin (a.s), para tij kishte krijuar Iblisin. Zoti krijoi Ibrahimin dhe Nemrudin, tiranin dhe diktatorin e asaj kohe. Zoti krijoi Musain dhe Faraonin. Kur Zoti krijoi krijesën e tij më të mirë profetin Muhamed (a.s), kishte krijuar më të ligun e asaj kohe Ebu Xhehlin.

Zoti e ka ndërthurur këtë botë me njerëz të mirë dhe me njerëz të këqinj. Ja që ka padrejtësi, ka dhunë, ka imponim. Tjetri të imponon ligjet e tij dhe ti nuk ke të drejtë të zgjedhësh besimin tënd, fenë tënde, të thuash atë që ti e mendon me zemër. Kjo është dynjaja.

E mira dhe e keqja janë sprovë prej Zotit të gjithësisë, por pak njerëz e dinë. Vështirësia është prej Zotit dhe lehtësia është prej Zotit. Pasuria është sprovë prej Allahut (xh.sh) dhe varfëria është sprovë prej Tij.

Allahu thotë në Kuranin fisnik: “Dhe Ne ju zbresim ju të mira dhe të këqija, për t’ju sprovuar ju, por të gjithë do të ktheheni tek Zoti i gjithësisë”.

Të gjitha janë prej Zotit. Ne mendojnë se vetëm dhimbja është sprovë, vetëm fatkeqësia është sprovë, por edhe e mira është sprovë, madje ajo është sprova më e madhe, por pjesa më e madhe nuk e dinë këtë.

Zoti i sprovon të gjithë njerëzit, besimtarë dhe jobesimtarë, të mirë dhe të ligj. Çdo njeri ka për të hyrë në provim dhe Zoti e di më mirë sesi do të dalë provimi i këtij njeriu, por besimtari duron.

Kjo është ajo që thotë profeti Muhamed (a.s): “Nuk është habi të sprovohesh, është habi të qëndrosh në sprovë”.

Besimtari duron, sepse ka besimin me vete. Besimi është burim i qëndresës, është burim i durimit, është burim i mosndryshimit të zemrës, i mosndryshimit të gjuhës.

Besimtari si të gjithë njerëzit e tjerë bie në hall, bie në siklet, por s’e prish zemrën me Zotin e gjithësisë, s’e prish gjuhën përpara Allahut (xh.sh). Madje, a e dini se besimtarët janë ata, që sprovohen më shumë?

Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Njeriu sprovohet sipas nivelit të besimit të tij. Kush e ka besimin e lartë, e ka sprovën shumë të vështirë, kush e ka besimin e dobët, edhe sprovën e ka të dobët”. Zoti e di se ata që mbajnë, janë lisat e mëdhenj, janë pemët e larta, janë profetët e Zotit dhe janë besimtarët.

Kurani tregon historinë e Ejubit (a.s). Ai ishte profet i Zotit. Çdokush mund të mendojë, se jeta e këtij njeriu do ishte e qetë, me të gjitha kënaqësitë, por ja që Zoti sprovon, madje sprovon profetët e Tij. Deri në moshën 78 vjeçare ishte nga njerëzit më të pasur dhe më të hijshëm. Kishte shumë fëmijë, pasuri e toka shumë. Pas 78 vitesh që kishte jetuar me bollëk, Zoti e sprovoi me fatkeqësi. Ia mori fëmijët një nga një, ia mori pasurinë, ia mori tokat dhe mbi të gjitha e sprovoi në trupin e tij. E sprovoi në shëndetin e tij me një sëmundje, saqë thonë se mishi i binte copë-copë përtokë. Iu larguan njerëzit, e braktisën të afërmit dhe askush nuk i afrohej përveç gruas së tij. Ajo nuk e la, nuk e braktisi, por punoi e sakrifikoi për të, sepse ishte besimtare. Dilte dhe punonte gjithë ditën për t’i shërbyer burrit të saj, i cili ishte i sëmurë dhe i paralizuar. Vetëm dy gjëra nuk i ishin paralizuar Ejubit (a.s), zemra e tij e cila kurrë nuk mendonte keq për Zotin dhe gjuha e tij e cila kurrë nuk e harronte Zotin. Gruaja e Ejubit (a.s) punonte çdo ditë, madje thuhet se një ditë i tha bashkëshortit të saj: “Pse s’i lutesh Zotit të ta heqë këtë siklet që ke?”. Ai e pyeti: – “Sa vite kemi qenë në të mira? – “78 vjet”- tha ajo. Ejubi (a.s) tha: “A nuk është turp që për 18 vite të ankohemi tek Zoti? Të paktën të durojmë 78 vjet, pastaj t’i lutem Zotit”.

Nga frika se mos Ejubi (a.s) ua ngjiste sëmundjen edhe të tjerëve, askush nuk i jepte punë gruas së tij. Kështu ajo u detyrua të shiste gërshetat e saj. Kur Ejubi (a.s) e pa, filloi të qante. Madje sprova më e madhe ishte, se njerëzit filluan të pëshpërisin me njëri-tjetrin e të thoshin: “Vallahi do të ketë bërë ndonjë gjynah të madh ky njeri, se Zoti nuk dënon askënd në këtë mënyrë”.

Ai e duronte sëmundjen, por ama nuk i duronte dot këto fjalë. Nuk duronte që njerëzit të mendonin, se Ejubi kishte bërë ndonjë gjynah të madh.

Ejubi vuajti plot 18 vite të gjata e të mundimshme. Pas 18 vitesh, kur dëgjoi këto fjalë, ai iu lut Zotit, por me etikën e profetëve. Ai bëri një lutje indirekte, që e kuptonte vetëm Zoti i gjithësisë dhe tha: “O Zot mua më ka rënë një hall, Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve”. Ejubi (a.s) e dinte, se njeriu sprovohet, madje profetët sprovohen më shumë se të gjithë. Zoti e pa, se ky njeri duroi në sprovë. Atëherë ia ktheu bukurinë pas kaq e kaq vitesh, pas 80-90 vitesh. E bëri djalë të ri, më të hijshmin e asaj kohe. Bashkëshorten e tij besimtare e bëri të re. Zoti u dha 2-fishin e atyre fëmijëve që kishte pasur, i ktheu pasurinë, i ktheu tokat, ia ktheu të gjitha. Zoti tha: “E pamë që ishte nga më durimtarët”. Sprovohet besimtari, sprovohet dhe jobesimtari, por ndryshimi është, se besimtari qëndron. Besimtari duron edhe sikur të jetë njeriu më i dobët, grua, nënë.

Zoti ka treguar në Kuran për një krijesë të dobët, siç është nëna për fëmijën e saj. Është e verbër, është më e dobëta kur ia cënojnë fëmijën e saj. Zoti ka treguar, se çdo të thotë kur është njeriu besimtar, ka treguar për nënën e Musait e cila kishte frikë për djalin e saj. Nëse do t’ia merrnin ushtarët do t’ia vrisnin, prandaj iku me fëmijën e saj dhe u gjend përpara lumit Nil. Para kishte lumin, pas kishte ushtarët. Para ishte vdekja e pas shpinës së saj ishte vdekja. A e imagjinoni dot ndjenjën e një nëne, e cila nga momenti në moment mund ta humbë fëmijën e saj? Vetëm nënat e ndjejnë diçka të tillë. Ishte krijesë e dobët, ishte grua, ishte nënë, në momentin më të dobët, por diti se kujt t’i lutet. Iu lut Allahut (xh.sh). “O Zot, ti e di se në ç’hall jam. O Zot më jep një rrugëzgjidhje”.

Zoti ia dha rrugëzgjidhjen, aty ku s’na e merr mendja. I tha: “Hidhe fëmijën me duart e tua në lum”. La ilahe il’Allah, ta hedhësh fëmijën me duart e tua drejt vdekjes, për t’i shpëtuar vdekjes. Pra rrugëzgjidhja ishte: “Hidhe fëmijën në lum”!

Ajo ishte besimtare. E dorëzoi veten e saj dhe fëmijën e saj tek Zoti i gjithësisë dhe Zoti e inspiroi dhe i premtoi që “Zoti nuk e humb fëmijën tënd, sepse është rob i Allahut (xh.xh), madje ka për ta kthyer atë tek ti e ka për ta bërë pejgamber për Beni Israilët”.

Kush duron? Kush arrin në këtë pikë sa ta hedhë fëmijën e tij në lum?

Vetëm besimtari, sepse besimi vjen menjëherë në ndihmë. Ky është burimi më i fortë i rezistencës. Prandaj Zoti na forcoftë në raste sprovash.

Kjo është ajo që tregon Zoti. Tregon se njerëzit më të dobët si nëna për fëmijën e saj, e cila nuk duron te fëmija asgjë, bëhet njeri i fortë, njeri rezistent, njeri i qëndrueshëm.

Por çfarë ndodh me jobesimtarët. Kur jobesimtarët apo besimtarët me besim të dobët kanë të mira, duken trima, duken burra të fortë, euforikë, nuk duan t’ia dinë, sikur gjithçka e kanë nën këmbë, por në një moment t’i sprovojë Zoti, qoftë edhe pak, bëhen tamam si puna e tullumbaces, kur e shpon me majën e gjilpërës. Ashtu si bora, që shkrihet para diellit, ashtu edhe jobesimtari hutohet dhe nuk di se ç’thotë. Mendon keq për Zotin, shan Zotin, tamam si puna e anijes në mes të detit, pa kapiten dhe pa vela. Jobesimtari vepron kështu sepse nuk ka besim në zemrën e tij dhe ndihet vetëm e pa përkrahje.

Zoti i ka përshkruar këta njerëz që besojnë me interes duke thënë: “Dhe ka prej atyre njerëzve që adhurojnë Zotin me interes. Kur u vjen e mira, qetësohen dhe janë në rregull me Zotin, por kur Zoti i sprovon mendojnë keq për Zotin”. “Ata kanë humbur edhe dynjanë, edhe ahiretin”. Kjo është humbja më e madhe.

Dijeni se ka njerëz, që e besojnë Zotin me interes, por besimi është burimi më i fortë dhe këtë e thonë edhe ata që nuk besojnë në Zot. A e dini se në luftën e dytë botërore, komunistët që nuk besojnë në Zot dhe janë armiqtë më të ashpër të fesë, e dinin që njerëzve iu nevojitet besimi. Kështu ata filluan ta lejojnë fenë, sepse vetëm feja mund t`i ndihmonte këta njerëz.

Historia ka treguar, se ka pasur besimtarë që janë sprovuar shumë.

Urve Ibn Zubejr ishte një nga besimtarët dhe dijetarët e parë të myslimanëve. Zoti e sprovoi me një sëmundje në këmbë, saqë doktorët i thanë: “Duhet të ta presim këmbën, por për ta bërë këtë, duhet të pish një ilaç që të të vejë në gjumë. Ai tha: “Vallahi Zoti që më ka dhënë mendjen, nuk ka si të më kërkojë që unë ta heq mendjen. Por unë do ta heq mendjen, vetëm kur të ma marrë Zoti i gjithësisë. Prandaj priteni këmbën”. Kështu ia prenë këmbën. Por dhimbja nuk mbaroi. Atë natë i vdes një nga fëmijët e tij më të dashur. Njerëzit shkojnë tek ai për ta ngushëlluar, por çfarë t`i thoshin. A ta ngushëllonin për këmbën, apo për fëmijën. Por të gjithë u habitën, kur panë Urve Ibn Zubejr që po falënderonte Zotin. Ai thoshte: “O njerëz! Mos më ngushëlloni. Më pati dhënë Zoti katër gjymtyrë, m`i la tre. Më pati dhënë Zoti shtatë fëmijë, më ka lënë gjashtë dhe ka marrë vetëm një. Zoti falënderohet edhe në këtë situatë. Me të vërtetë njeriu e sheh sesa vlen besimi i tij, vetëm kur sprovohet.

Teksa dëgjojmë këto histori, pjesa më e madhe e të cilave na duken si përralla, por ato kanë ndodhur realisht. Natyrshëm shtrohet pyetja: “A janë besimtarët prej mishi dhe prej gjaku, apo janë prej hekuri”? “A kanë ndjenja këta njerëz”? Përgjigja jonë është: “Besimtarët janë njerëz prej mishi dhe prej gjaku, ata kanë ndjenja, madje më shumë se njerëzit e tjerë. Edhe ata kanë dhimbje dhe qajnë kur u bie fatkeqësia, por ndryshojnë nga të tjerët, sepse durojnë e qëndrojnë dhe nuk mendojnë keq për Zotin.

Kur profetit (a.s) i vdes djali i fundit Ibrahimi, pasi i kishte vdekur pjesa më e madhe e fëmijëve, filluan t`i rrjedhin lot nga sytë. Njerëzit e pyetën: “A edhe ti o profet i Zotit qan”? Profeti (a.s) tha: “Zemra mërzitet, sytë lotojnë, por gjuha thotë vetëm atë që kënaq Allahun (xh.sh)”. Besimtarët janë njerëz me ndjenja, por ata rezistojnë në momentet më të vështira, sepse e dinë se gjithçka vjen prej Allahut (xh.sh).

Lind pyetja: “Ku e marrin forcën besimtarët”? Besimtarët kanë disa burime force, të cilat nuk i ka askush tjetër përveç tyre. Besimtari e di, se kjo dynja është e shkurtër dhe ajo që vjen pas saj është shumë më e madhe. Prandaj çdo lloj fatkeqësie do të mbetet në kufijtë kohorë. Besimtari e di, se Zoti do t`ia kthejë çdo gjë që i ka marrë në këtë dynja, në një vend ku lumturia nuk ka fund. Pra besimtari beson në jetën tjetër dhe kjo është një forcë shumë e madhe. Si mund ta ngushëllosh dikë që nuk beson në jetën tjetër?! Ç`mund t`i thuash një nëne, që ka humbur fëmijën e saj të vetëm dhe nuk beson në jetën tjetër?! Dijeni se besimi në jetën tjetër është burimi më i madh i forcës, madje edhe nëse nuk e ngushëllojnë të tjerët, besimtari ngushëllon veten e tij.

Zoti sprovon dhe besimtari e di mirë këtë punë. Madje Zoti ka sprovuar njerëz, që i ka dashur më shumë se mua dhe ty. Prandaj duro, se sprova është ligj i Allahut dhe një ditë do të sprovohesh, e kupton ti këtë apo jo.

Besimtari duron në fatkeqësi, sepse e di se çdo gjë ndodh me lejen e Zotit. Dynjaja nuk është rrëmujë, Zoti nuk është i padrejtë e hakmarrës, por Allahu çon në vend planin e Tij dhe besimtari kurrë nuk e prish zemrën me planin e Allahut (xh.sh), se ndodh që në kulmin e fatkeqësisë të jetë zgjidhja e të gjitha problemeve të tua.

Besimtari e di, se fatkeqësia më e madhe është ajo që të godet fenë tënde, të bën të harrosh Zotin e gjithësisë dhe Zoti mos e sprovoftë asnjërin prej nesh në fenë e tij.

Besimtari e di, se nëse ai duron dhe falënderon Zotin në rast fatkeqësie, Zoti e shpërblen atë. Profeti (a.s) thotë: “Çdo hall, çdo shqetësim, madje edhe gjembi kur i futet në këmbë besimtarit, nëse duron, Allahu (xh.sh)do ta shpërblejë atë person, derisa ai person të dalë nga dynjaja pa asnjë gabim”.

Prandaj besimi është dhuntia dhe dhurata më e madhe që mund të na japë Allahu (xh.sh). Profeti (a.s) thotë: “Zoti ia jep këtë dynja atij që e do dhe atij që nuk e do. Ndërsa besimin ia jep vetëm atij që do”. Zoti na e shtoftë besimin.

Myslimanët sot po kalojnë momentet më të vështira në historinë e tyre. Një pjesë të vështirësive e kanë nga vetja e tyre, kurse një pjesë u vjen nga të tjerët. Por të gjithë të tjerët habiten me qëndresën e myslimanëve. Dijeni se vetëm besimi e mban këtë popull, popullin mysliman. Ku ka besim në zemër, ka rezistencë, ka qëndresë, ka shpresë për të ardhmen.

Do të vijë një kohë, kur Zoti do ta mbushë tokën me drejtësi, pasi të jetë mbushur me padrejtësi. Të jeni të sigurt, se Zoti do ta lartësojë fenë e Tij dhe besimtarët e Tij. Prandaj i lutemi Zoti të gjithësisë të forcojë zemrën tonë, ta forcojë besimin tonë, të na bëjë Zoti të fortë, kur të na godasin sprovat.

Zoti i faltë gjynahet tona, ato që i dimë dhe ato që nuk i dimë, ato që kanë kaluar dhe ato që mund t`i bëjmë. Zoti e shtoftë besimin në zemrat tona, tek fëmijët tanë dhe në shtëpitë tona. I lutemi Zotit, që njerëzit e mirë t`i forcojë në rrugën e ftesës për tek Zoti, njerëzit e këqinj t`i udhëzojë në rrugën e drejtë.

Zoti e shtoftë besimin në zemrat tona, në familjet tona, në shoqërinë ku jetojmë dhe në mbarë botën. Allahu na mundësoftë që ta jetojmë jetën si myslimanë, shpirtin ta japim si besimtarë, dhe të ringjallemi me profetin Muhamed (a.s).

Imam – hatib: Ferid Piku