Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku ka gjasa të mëdha të largohet nga Rusia këtë verë për të vazhduar karrierën në Turqi.
Bëhet e ditur se interesim për transferimin e Dakut ka shfaqur Beshiktashi, ekip që edhe i ka bërë ofertë zyrtare Rubin Kazanit për shërbimet e tij.
Mediumet turke raportojnë se Beshiktashi ka ofruar rreth 2 milionë euro për kartonin e Dakut, i cili ka kontratë me ekipin rus deri në verën e vitit 2026.
Mësohet se Rubin Kazani po shqyrton ofertën e Beshiktashit pasi po pret përfundimin e “Euro 2024” në mënyrë që vlera e Dakut të rritet edhe më shumë.
Daku është ftuar nga trajneri i Shqipërisë, Sylvinho për Evropianin që do të mbahet në Gjermani dhe te Beshiktashi po shihet si përforcim i duhur për sulmin.
26-vjeçari verën e shkuar iu bashkua Rubin Kazanit dhe në sezonin e tij të parë në Rusi ka shënuar 10 gola e ka bërë 4 asistime në 33 paraqitje.