Lëvizja Besa në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni, ka kritikuar BDI-në në lidhje me zhvillimet e fundit politike, gjegjësisht formimin e qeverisë së re.
”Pas deklarimit të fundit të BDI-së se nuk ka qëndrim për të marrë pjesë në qeverinë që mund ta formonte mandatari Nikolla Gruevski, Kryesia Qendrore e Lëvizjes Besa – pas konsultimeve të bëra në mbledhjen e djeshme – deklaron se kjo gjendje i ka shpërfaqur tri gjëra, që janë shumë të rëndësishme për opinionin:
– Më në fund vetë BDI-ja dëshmoi se i a.q. parim “fituesi bën qeveri me fituesin” ka qenë vetëm alibi i saj për bashkëqeverisje pa asnjë kusht me Gruevskin;
– Pas qëndrimit publik të OBRM-PDUKM-së se nuk e pranon Deklaratën e Përbashkët të Partive Shqiptare të Maqedonisë (që u arrit edhe me asistencë të Tiranës dhe Prishtinës) dhe, përkundër kësaj, zhvillimi i negociatave nga BDI-ja me këtë parti, është shkelje e kësaj deklarate, që flet për faktin se kjo parti nuk është në gjendje ta respektojë as edhe një zotim të përbashkët shqiptar. Kjo detyrimisht e imponon pyetjen se edhe për sa kohë dhe për çfarë argumente të tjera ka nevojë BDI-ja, që ta kuptojë këtë qëndrim antishqiptar të OBRM-së?
– Mungesa e vendimit nga ana e kësaj partie flet edhe për mungesën e kapacitetit politik të këtij subjekti për të marrë çfarëdo vendimi, kjo si rezultat i krizës morale dhe politike që e ka përfshirë këtë parti.”
”Marrë në përgjithësi, Lëvizja Besa, si subjekti i dytë shqiptar në Maqedoni e me një qasje krejt të re e tjetërfare në veprimtarinë politike, thekson se – pa qëndrimin parimor të Besës kundrejt Gruevskit – sigurisht nuk do të kishte ndodhur që kryetarit të OBRM-së, si asnjëherë më parë, t’i dështonte përpjekja për ta bërë qeverinë.”
Për këtë arsye Besa konsideron se kualiteti demokratik, i ardhur përmes platformës RIDEFINIMI, që e ka sjellë ajo në skenë, është shpresëdhënës se në të ardhmen interesi shqiptar do të jetë në binarë të sigurt.