Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka deklaruar se termi “korrigjim kufijsh” midis Kosovës dhe Serbisë është produkt i kuzhinës së Beogradit, sipas të cilit katër komuna të veriut do t’i kalojnë Serbisë.
Ai në një statut në Facebook shkruan se në nënshkrimin e marrëveshjes duhet të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Postimi i plotë:
Të dashur miq, këtu më poshtë keni një dokument të kuzhinës së Beogradit, në të cilën flitet jo për ndarje apo copëtim të territorit të Kosovës por për korrigjim të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës si dhe për marrëveshje win-win midis këtyre dy vendeve. Sipas këtij dokumenti:
1- “korrigjimi” i kufijve, term që përdor sot Beogradi dhe argatët e tij në Prishtinë, nënkupton as më shumë dhe as më pak se sa t’i kalojnë Republikës së Serbisë katër komuna, konkretisht Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Patoku.
2- Kjo, sipas kuzhinës së Beogradit, do të ishte një marrëveshje win-win, pra që do të fitonin të dy palët.
3- Në firmosjen e kësaj marrëveshje duhet të jetë Edi Rama! Mendoj se ky dokument nxjerr lakuriq argatët e Beogradit që përpiqen të mashtrojnë shqiptarët me spekulime semantike të përgatitura në kuzhinën e kryeqendrës së Serbisë dhe të servirura në takime obskure të argatëve të saj shqipfolës albanofob.