Partia Demokratike gjendet sot në udhëkryqin më të madh të ekzistencës politike dhe lideri i saj historik nuk mund të thotë asnjë fjalë. Sali Berisha është i dënuar të heshtë, ndonëse bashkë me fatin e partisë, që themeloi dhe drejtoi për gati çerek shekulli, po luhet dhe vendi i tij në historinë e re të Shqipërisë. Pasi ajo që po ndodh në PD, e ka ndarë për herë të parë individin Sali Berisha nga filozofia politike me të cilën ai ka dominuar skenën politike shqiptare për 25 vjet.
Shumëkush e ka të vështirë ta përfytyrojë pas dy muajsh, liderin historik, të ulur mes një grushti deputetësh, shumica të panjohur për të dhe ai që, dashje pa dashje, do t’i ngjasojë një portreti muzeal, të shkëputur nga koha dhe njerëzit e tij. A ka mundur ta kapërdijë ai faktin që vetë do të vijojë të jetë deputetë, por ata që ka patur në krah, si në qeveri ashtu dhe në parti, janë “dënuar” për shkak të jetëgjatësisë politike? Me çfarë morali do ta pranonte një ish kryeministër, një lider që e ka ngritur kultin e tij mbi marrjen e përgjegjësisë, që ai vetë të “shpërblehet” me postin e deputetit, ndërsa shokët e armëve të ndëshkohen se kanë qeverisur nën drejtimin e tij.
Kjo pozitë, ajo e përjashtimit të figurave të së shkuarës por e ruajtjes së ish liderit të tyre, ndoshta është më poshtëruesja ku mund të jetë gjendur ndonjëherë Sali Berisha. Atij i kanë prerë të gjithë trungun e berishizmit dhe e kanë lënë atë vetë si një frutë të varur në ajër. Pra individi Sali Berisha mbetet në politikë, pavarësisht se berishizimi si frymë dhe si investim njerëzor u ndëshkua botërisht nga pasuesi i tij në PD. Për të, në PD ka një vend, ndërsa për ata që punuan nën drejtimin e tij, dyert janë të mbyllura. Pika më e fortë e Berishës, ajo e kapitenit që nuk e braktis ekuipazhin e tij, është goditur fort dhe është shndërruar në poshtërim kur për kapitenin është hedhur një kamerdare ndërsa të tjerët janë lënë të zhduken mes dallgëve.
Sali Berisha e ka pranuar këtë kamerdare dhe kjo është një nga arsyet kryesore se përse ai sot nuk mund të flasë. Çfarë teksti do të shqiptonte ai në publik si mesazh për bashkëpunëtorët e tij të viteve të largëta e të vështira, si do ta shpjegonte zgjedhjen për të qëndruar ndërkohë që asgjë e tij nuk mbeti brenda mureve të PD?
Lideri i sprovuar në shumë beteja të egra, deri gati në asgjësim, këtë herë u gjend i kapur në kurthin që askush nuk do kishte qenë në gjendje t’ia ngrinte, përveç vetes së tij. Me bërjen fakt të listave të deputetëve, ku ai kishte mbetur si objekt muzeal dhe jo si simbol i frymës dhe boshtit të një partie, për Sali Berishën ishte shumë vonë të tërhiqej. Ai kishte mbetur aty, pasi predikoi për vite me radhë se kryetar i PD ishte Lulzim Basha dhe se respektonte çdo vendim të tij. Mbeti fizikisht, bashkë me pamundësinë për të folur.
Heshtja ishte dhe është e vetmja zgjedhje e Berishës. Ai ka pranuar me kokën ulur dhe i tërhequr në vetminë e tij, të kapërdijë gjellën që ka gatuar vetë. Nëse flet, i duhet të mohojë atë që vetë ka projektuar dhe investuar si pasardhës të tij. Po hapi gojën, duhet të thotë diçka edhe për ata 200 mijë demokratë që nuk votuan për PD. Duhet të tregojë edhe për atë çka po ndodh me gjoja garën për kryetarin e partisë. Pastaj t’u japë përgjigje edhe atyre që e akuzojnë se heshtja e tij buron nga marrëveshja e fshehtë e 17 majit. Prandaj është i dënuar të heshtë.
E megjithatë heshtja e Berishës flet më shumë se çdo gjë tjetër për atë që ndodhi e po ndodh në Partinë Demokratike. Ajo na tregon se futja në zgjedhjet e 25 qershorit dhe hartimi i listave, ishte rezultat i një pragmatizmi interesash dhe jo i një fryme opozitare, për të cilin vetë Berisha i kishte mbyllur të dy sytë. Basha veproi në opozitë ashtu si vetë Berisha veproi në dy vitet e fundit të qeverisjes së tij, kur interesi dominoi mbi kauzën. Berisha nuk mund të flasë as për farsën e zgjedhjeve të kësaj të shtune për kreun e PD, por të gjithëve u vjen ndërmend se ajo është një përsëritje e asaj që vetë ai organizoi katër vite më parë.
Doktori e ka të pamundur ta shërojë plagën që vetë ia ka hapur PD. Për këtë do t’i duhej një operacion thuajse i pashpresë. Ndoshta këtë ka kuptuar dhe sot nuk mund t’i flasë askujt. Nga zyra e tij në qendër të Tiranës, ai përballet përditë me pafuqinë e tij për të ndërtuar një model që do të vazhdonte dhe përjeton dëshpërimin që sjellin kompromiset e ngushta në kurriz të zgjedhjeve parimore. Për herë të parë, shqiptarët mund ta shohin sot Sali Berishën të ndarë mes individit dhe liderit- simbol që ai ka përfaqësuar gjithnjë për ta. Berishën do ta gjejnë në Parlament, por berishizmi nuk është më. A mundet ai pas kësaj t’u flasë përsëri atyre?/Mesazhi/