Nga Kim Mehmeti
Ne shqiptarët të fundit do e kuptojmë se në këto hapësira, dy luftërat e përbotshme kanë marr fund, por ato ballkaniket kurrë nuk kanë përfunduar. Dhe se prej moti ka nisur dhe ende është duke u zhvilluar ‘Lufta e Tretë Ballkanike’, edhe atë herë me armë, si gjatë zhbërjes së ish Jugosllavisë, e herë me mjete tjera të padukshme.
Në këtë Ballkan kurrë nuk kanë marrë fund as disa beteja nga kohët e Perandorisë Osmane, posaçërisht ato që serbët i kanë humbur, siç është ajo e Fushë Kosovës, betejë të cilën qarqet serbe e kanë vazhduar duke i luftuar të gjithë besimtaret myslimanë të këtyre hapësirave, e të cilët, sipas shtetit kishtar serb, janë pasardhës të osmanlinjve?!
Ne shqiptarët të fundit do e kuptojmë se Maqedonia është ‘Kazablanka’ e Ballkanit, ku gërshetohen interesat e shteteve të këtushme dhe ku, ‘Lufta e Tretë Ballkanike’, është më e egër se kudo tjetër. Ne të fundit do e kuptojmë se Serbia, si ‘vëllai i madh’ i saj, kurrë nuk e jep Maqedoninë dhe se, viteve të fundit, qarqet politike e policore serbe, kanë ndikim në thuajse të gjitha institucionet e këtij shteti, përfshi edhe mediat dhe strukturat e disa partive politike.
Duke qenë ‘ushtarë’ të vonuar në ‘Luftën e Tretë Ballkanike”, ne shqiptarët as që e shohim se ka ardhur koha kur duhet të jemi sa më paqedashës, por duke i kthyer miqësitë e vjetra, të trashëguar nga rilindësit dhe revolucionarët tanë, miqësi që kanë të bëjë me popullin kroat dhe atë bullgar.
Pra me shumëçka, luftërat ballkanike kurrë nuk kanë marrë fund dhe, armët janë heshtur e janë mbuluar me jorganin politik, vetëm sa për t’u bërë rirreshtimi ushtarak. Jorgan i qëndisur dhe zbukuruar me projekte të ndryshëm të rrejshëm ‘paqësorë’, siç është sot ai i ‘Ballkanit të Hapur’, e me të cilin Serbia dëshmon se do bëjë çmos që Maqedonia e Shqipëria të mbeten nën ndikimin e saj.
Ndërkohë duhet pranuar se jo vetëm Maqedoninë, por Serbia e sotme me shumëçka e përcakton edhe fatin e Malit të ZI, të Bosnjës dhe të Kosovës, të cilat shtete mund t’i destabilizojë kur të dojë edhe atë, të parin nëpërmjet kishës, të dytin nëpërmjet Republikës Serbska dhe Kosovën nëpërmjet veriut të saj. Me çka del se nga gjithë shtetet e këtushme, Serbia, e cila për çdo ditë armatoset, më seriozisht e ka marrë “Luftën e Tretë Ballkanike’dhe është duke i prirë asaj.