Beograd, vazhdojnë protestat edhe në ditën e parë të semestrit të dytë

Mijëra profesorë, studentë, nxënës dhe qytetarë u mblodhën në ditën e parë të semestrit të dytë për një protestë në Beograd të quajtur “Mësuesit janë me studentët” dhe bënë thirrje për një grevë të përgjithshme në Serbi.

Tubimi u organizua nga Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve të Serbisë, ndërsa pas fjalimeve, vijoi aksioni “15 minuta heshtje”, në shenjë nderimi për viktimat e rrënimit të një pjese të kulmit të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.

Institucione të shumta arsimore në gjithë Serbinë kanë pezulluar mësimet sot si formë mbështetjeje dhe solidariteti me protestat e studentëve për t’i përmbushur kërkesat e tyre, si dhe të profesorëve.

Dushan Kokot, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Arsimit të Serbisë, tha se mësimi sot nuk ka filluar në 50 për qind të shkollave. Ai shtoi se përqindja në qytetet më të mëdha është 80 për qind.