Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema është shpallur lojtari më i mirë i vitit nga UEFA, në ceremoninë e mbajtur të enjten në Stamboll të Turqisë.
Me këtë çmim të fituar, Benzema po shpërblehet për formën fantastike që e ka pasur sezonin e shkuar.
Sulmuesi francez ishte lojtari kryesor i Real Madridit dhe më i merituari për triumfin në Ligën e Kampionëve. Benzema shënoi 15 gola në Champions, ndërsa në total pati 44 gola e 15 asistime në 46 paraqitje në të gjitha garat. Ai gjithashtu, udhëhoqi Realin edhe drejt triumfit në La Liga.
Për Benzeman, ky është çmimi i parë i rëndësishëm individual. Ai për këtë çmim të fituar, ka lënë pas vetes portierin Thibaut Courtois dhe mesfushorin Kevin de Bruyne. Ndërkohë, te femrat, çmimin e futbollistes më të mirë të vitit nga UEFA, e ka fituar sulmuesja e Barcelonës, Alexia Putellas. /koha