Senatori italian, Antoino Razzi, ka shkaktuar reagime të ashpra për shkak të një selfie të publikuar në rrjetet sociale ku duket ai bashkë me liderin e regjimit sirian, Bashar al Asadin, raporton Anadolu Agency (AA).
Razzi ishte pjesë e një delegacioni nga Evropa dhe Rusia që vizituan Damaskun. Gjatë takimit me Asadin, Razzi 69-vjeçar i cili është pjesë e partisë së Silvio Berlusconi-t, Forza Italia, ka realizuar një selfie me liderin e regjimit sirian.
Pas publikimit të kësaj fotoje, në rrjetet sociale ka patur komente të ndryshme. Ndërkohë që disa ndjekës i kanë dalë në mbështetje duke thënë se ai është më i mirë se ministri aktual i Punëve të Jashtme, disa të tjerë, e kanë pritur keq këtë foto.
“Një shuplakë ndaj miliona njerëzve”
Razzi është kritikuar ashpër nga disa media në vend. Ndërkohë Corriere della Sera përmes një shkrimi në lidhje me këtë çështje shkruan: ”Selfie me Asadin. Razzi nuk të bën më për të qeshur”.
Gazeta shkruan se Razzi deri më tani i ka bërë për të qeshur ndjekësit e tij me ato që shpërndan në rrjete sociale, ndërsa duke kritikuar publikimin e fotos thotë se më shumë se një argëtim kjo foto është një zhgënjim total.
Ndërsa gazeta Il Fatto Quantidiano, shkruan në lidhje me foton: ”Turp pa kufi”. Ndërsa në brendësi të lajmit thuhet: ”Kjo është një shuplakë e madhe ndaj më shumë se gjysmë milioni viktimash të luftës dhe më shumë se 10 milionë refugjatëve.”
Në shkrim thuhet se Razzi është takuar në vitin 2014 edhe me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Ndërsa duke vënë në dukje se rroga e tij paguhet nga taksapaguesit italianë, në shkrim i bëhet thirrje Forza Italia-s të distancohet nga ky senator.
Në shkrim bëhet thirrje gjithashtu që Senati të dalë kundër veprimeve të Razzi-t për të mbrojtur nderin e vendit.