Itamar Ben-Gvir, ish-ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, i cili njihet për komentet e tij nxitëse kundër palestinezëve, e ka dënuar kthimin e të zhvendosurve në Gazën veriore si një fitore për Hamasin.
Ai në një postim në X ka shkruar:
“Hapja e autostradës Netzarim këtë mëngjes dhe hyrja e dhjetëra mijëra banorëve të Gazës në Rripin verior të Gazës janë imazhe të fitores së Hamasit dhe një pjesë tjetër poshtëruese e marrëveshjes së pamatur. Kjo nuk është se si duket “fitorja e plotë” – kështu duket dorëzimi i plotë.
“Ushtarët heroikë [izraelitë] nuk luftuan dhe dhanë jetën në Rripin e Gazës për të bërë të mundur këto foto. Ne duhet të kthehemi në luftë – dhe të shkatërrojmë!”
Ben-Gvir, i cili dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së armëpushimit, ka qenë prej kohësh kundër përfundimit të luftës dhe ka bërë thirrje që Izraeli të pushtojë Gazën.