Qindra migrantë të ashtuquajtur të “padokumentuar” në Belgjikë janë të sëmurë rëndë pasi vazhdojnë një grevë urie për më shumë se një muaj, me disa që “qepin gojën” për të sinjalizuar se nuk ka kthim prapa, raporton Anadolu Agency (AA).
Për vite me radhë gati 150 mijë migrantë kanë jetuar në vend pa leje qëndrimi ose pa dokumente pune.
Rreth 400 migrantë për gjashtë muaj kanë jetuar në një kishë dhe në një kampus universitar në qendër të Brukselit, me qëllim që qeveria të dëgjojë zërin e tyre.
Migrantët, të cilët janë në një grevë urie për 40 ditë, po kërkojnë që qeveria të bëjë marrëveshje ligjore për t’u dhënë atyre statusin ligjor.
Situata e popullatës së padokumentuar që erdhi në Belgjikë nga Algjeria, Tunizia, Afganistani, Pakistani dhe nga shumë vende afrikane tashmë disa vite është një temë diskutimi.
Grevat e urisë së migrantëve të padokumentuar, të organizuara më parë në vitin 2000 dhe në vitin 2009, arritën qëllimin pasi kërkesat e tyre për t’u përfshirë ligjërisht në sistem u përmbushën nga autoritetet.
Migrantët, të cilët po bëjnë të njëjtat kërkesa dhe marrin mbështetje nga partitë politike socialiste dhe ato mjedisore, këtë herë po përballen me pengesa të mëdha pasi qeveria aktuale ndjek një qëndrim shumë të rreptë dhe fuqishëm refuzon kërkesat e tyre.
Personat në grevë të urisë deri më tani nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre.
Ahmed, një zëdhënës i grevistëve të urisë, tha se duhet gjetur zgjidhje e përshtatshme dhe ligjet e imigracionit duhet të ri-rregullohen në përputhje me realitetin aktual politik dhe ekonomik të Belgjikës.
“Ne kemi punuar në Belgjikë për shumë vite, por nuk ka ndonjë ligj që na mbron nga aksidentet e punës. Ne nuk kemi sigurime shoqërore”, tha ai për AA.