Laboratorët në Belgjikë po luftojnë për të përballuar kërkesën për teste të koronavirusit të ri (COVID-19) mes rritjes së shpejtë të infeksioneve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të përditshmes ‘De Morgen’, rritja e rasteve me COVID-19 ka çuar që shumë kompani private të angazhuara me përpunimin e testeve PCR të kërkojnë ndihmë nga rrjeti federal i laboratorëve, veçanërisht në rajonin Flanders.
Në të njëjtën kohë, platforma kombëtare e testimit po ashtu po përballet me probleme kapaciteti pasi qeveria muajin e kaluar shkurtoi fondet mujore nga 720 mijë euro në 270 mijë euro për laborator.
Arsyeja e shkurtimit të fondeve ishte se laboratorët nuk po jepnin objektivin ditor të 2 mijë testeve për shkak të uljes së kërkesës.
Rritja e kërkesës për teste PCR i atribuohet edhe faktit se personat e pa vaksinuar duhet të posedojnë teste negative për të hyrë në kafene apo restorante dhe për të marrë pjesë në ngjarje me mbi 50 persona.
Masat e reja për të parandaluar përhapjen e virusit në Belgjikë kaluan në fuqi nga dita e sotme, përfshirë edhe punën nga shtëpia që është e detyrueshme për katër ditë në javë, me përjashtim të sektorëve që kërkojnë prani fizike të punonjësve.
Çdo person mbi 10-vjeç është i detyruar të mbajë maskë në transportin publik, në restorante dhe në vende të tjera argëtimi, si dhe në hapësira të mbyllura me mbi 50 persona dhe ngjarje në natyrë me mbi 100 persona.
“Ka një shpërthim të vërtetë në infeksione. Ne duhet të ndërhyjmë kudo dhe duhet ta bëjmë me forcë”, tha Frank Vanderbroucke, ministri belg i Shëndetësisë, i cili shpalli rregullat e reja javën e kaluar.
Mbi 21.500 infeksione COVID-19 u raportuan në vend të premten e kaluar, ndërkohë që mesatarja për rastet ditore javën e kaluar ishte afër 14 mijë.
Pavarësisht rritjes alarmante të infeksioneve, mijëra njerëz dolën në protesta kundër kufizimeve të shtrënguara gjatë fundjavës.
Rreth 35 mijë persona marshuan në kryeqytetin Bruksel dhe policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji ndërsa protestuesit sulmuan policinë me objekte të ndryshme, dëmtuan makina dhe u vënë flakën koshave të plehrave.