Në Belgjikë hyri në fuqi ligji që parashikon zbatimin e kufizimeve pandemike me miratimin e një dekreti ministror nga ana e parlamentit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në Belgjikë, ku masat e koronavirusit të ri (COVID-19) u zbatuan me një dekret ministror, Shoqata për të Drejtat e Njeriut e çoi çështjen në gjykatë me arsyetimin se ato nuk bazoheshin në një bazë ligjore.
Qeveria filloi të punojë mbi “ligjin pandemik” pasi gjyqtari i gjykatës së Brukselit në mars vendosi se “parimi i ligjshmërisë” është shkelur.
Sipas ligjit i cili hyri në fuqi sot, qeveria do të jetë në gjendje të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm vetëm me miratimin e parlamentit kur të shpallet një emergjencë në lidhje me pandeminë.
Ligji përcakton si emergjencë “një kërcënim serioz për një numër të madh njerëzish që mund të shkaktojë mbingarkesë serioze në objektet e kujdesit shëndetësor dhe kërkon koordinim në nivel kombëtar”.
Duke pasur parasysh gjendjen emergjente, ligji aktualisht nuk pritet të zbatohet. Sipas raporteve të Komisionit COVID-19 dhe Grupit të Vlerësimit të Rrezikut, situata në Belgjikë nuk është urgjente për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit.
Belgjika renditet e para ndër vendet evropiane për sa i përket shkallës së vaksinimit të popullsisë. 73 për qind e popullsisë prej 11,4 milionë banorë janë plotësisht të vaksinuar. Kjo normë mbi moshën 18-vjeçare ka arritur në 85-për qind. /aa