Një gjykatë belge ka vendosur se qeveria e vendit ka shkelur të drejtën e azilkërkuesve për pranim “në mënyrë të qëllimshme dhe të koordinuar”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave lokale, Gjykata e Punës e Belgjikës ka shpallur fajtor sekretarin e shtetit për azil dhe migrim, Sammy Mahdi, për shkeljen e të drejtës së azilkërkuesve për pranim.
Ligjërisht Belgjika duhet të ofrojë një vend të përkohshme për të qëndruar, për t’u pastruar dhe për të siguruar ushqim për të gjithë ata azilkërkues që kërkojnë mbrojtje, por kjo nuk sigurohet për të gjithë azilkërkuesit.
Zyra e Prokurorit Publik ka nisur një hetim mbi atë nëse qeveria ka kryer një krim duke shkelur ligjin për azilkërkuesit.
“Marrëzi. Kur vendet janë të kufizuara, ju duhet të bëni zgjedhje”, shkroi në rrjetet sociale Mahdi, duke iu referuar vendimit të gjykatës.
Belgjika është përballur me një krizë afatgjatë në lidhje me pranimin e azilkërkuesve dhe Mahdi shpesh kritikohet për qëndrimin e tij të ashpër.
Radhët e gjata jashtë selisë së agjencisë federale për azilkërkuesit ‘Fedasil’ tregojnë për krizën e refugjatëve.
“Njerëzit kalojnë netët në rrugë në të ftohtë. Ekziston një zgjidhje alternative në ligjin belg. Programi i Ndihmës Komunale mund të aktivizohet, por nuk ka vullnet politik”, tha më herët për AA Sotieta Ngo, drejtoresha e Koordinimit dhe Iniciativave të organizatave joqeveritare belge për Refugjatët dhe të Huajt (CIRE).
Rreth dhjetë organizata joqeveritare kryesore në Belgjikë, përfshirë CIRE, e paraqitën rastin në gjykatë.
Duke shqyrtuar aplikimin e këtyre organizatave joqeveritare më 19 janar, gjykata dënoi shtetin belg dhe agjencinë Fedasil për keqmenaxhim dhe i urdhëroi ata të paguanin një gjobë prej 5 mijë eurosh për çdo ditë pune të kaluar nga azilkërkuesit pa strehë. /aa